Anëtari i Këshillit bashkiak të Tiranës, Tedi Blushi ka reaguar me një status në Facebook pas humbjes së “BF” në zgjedhjet e përsëritura në Rrogozhinë. Blushi shkruan se banda qeveritare e inceneratorëve tregoi dhe njëherë fytyrën e saj dhe rëndoi akoma më shumë veten si një mafie e vërtetë zgjedhore me shkeljet që u bënë dje.
Ndër të tjera thotë se ngjarjet e djeshme treguan edhe një herë se si rilindasit grabisin me dhunë votën sepse kanë qëllim të vetëm, të vazhdojnë vjedhjen e miliarda eurove të taksave, të rrëmbejnë pronat, të shkelin dhe të dhunojnë liritë dhe të drejtat e qytetarëve.
Postimi i plotë:
RROGOZHINA, NJË TJETËR MASAKËR ZGJEDHORE!
Në Rrogozhinë u konsumua hapur një tjetër krim shumë i rëndë zgjedhor, një manipulim dhe kërcënim flagrant i votuesve nga Qeveria dhe veglat e saj.
Banda qeveritare e inceneratorëve tregoi dhe njëherë fytyrën e saj dhe rëndoi akoma më shumë veten si një mafie e vërtetë zgjedhore.
Veprimet kriminale të Qeverisë në Rrogozhinë janë denoncuar me qindra fakte, njëri më skandaloz dhe më flagrant se tjetri.
Qytetarët kurajozë dhe me dinjitet i kanë denoncuar kërcënimet e ulta, që janë bërë nga “Rilindja” edhe përpara kamerave.
Institucioni i votës është sot më i kërcënuar se kurrë ndonjëherë!
Ngjarjet në Rrogozhinë u kanë treguar qytetarëve se si rilindasit grabisin me dhunë votën sepse kanë qëllim të vetëm, të vazhdojnë vjedhjen e miliarda eurove të taksave, të rrëmbejnë pronat, të shkelin dhe të dhunojnë liritë dhe të drejtat e qytetarëve.
Përballja e palëkundur dhe demaskimi i kësaj klike qeveritare mafioze është sot jetike, më shumë se kurrë, për çdo qytetar, për familjet e tyre dhe për të ruajtur Shqipërinë nga asgjesimi për shkak të shpopullimit dhe veçanërisht të largimit masiv të të rinjve.