Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha, do të ketë të dy anëtarë në Komisionin Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve numër 11, që i përket Bashkisë së Kukësit, në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme për kryetarin e Bashkisë së qytetit verilindor. Zgjedhje që do të zhvillohen më 24 shtator, pas largimit të Safet Gjicit.
Vendimi u mor këtë të premte nga Kolegji Zgjedhor në Tiranë. Togat e zeza rrëzuan vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe më tej Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, që i jepnin të drejtën e të pasurit të dy anëtarëve Partisë së Lirisë. Në argumentat e KQZ dhe KAS, ishte fakti se në zgjedhjet e 14-majit, Partia e Lirisë, pjesë e koalicionit “Bashkë Fitojmë” u rendit si partia e dytë më e madhe në vend.
Por, Partia Demokratike e Lulzim Bashës e ankimoi këtë vendim. PD ngriti pretendimin se Partia e Lirisë nuk mund të cilësohet si parti e dytë, pasi votat e marra në 14 maji ishin në bazë koalicioni dhe renditja e partive, duhet të bazohet në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe kësisoj të ishte Partia Demokratike ajo që të kishte të drejtën për të zgjedhur dy anëtarë për KZAZ-në e Kukësit.
Kolegji Zgjedhor i përbërë nga Sokol Ibi, relator, Edlira Petri (Anëtare); Manjola Xhaxho (Anëtare); Esmeralda Xhili (Anëtare); Alma Kolgjoka (Anëtare), në fund të shqyrtimit të pretendimeve të palëve, i dha të drejtë Partisë Demokratike të Lulzim Bashës. Tashmë do të jetë pikërisht selia blu që do të emëroi dy anëtarë të KZAZ në Kukës.
Sipas ndarjes, KZAZ numër 11, ajo e Kukësit do të ketë shtatë anëtarë: 3 të përzgjedhur nga Partia Socialiste, 2 nga Partia Demokratike dhe 1 anëtarë nga Partia e Lirisë. Anëtari shtatë dhe kryetari do të jetë nga Partia Socialiste, teksa Sekretari i KZAZ nga Partia e Lirisë.