Shkarkimi nga qeveria, Cani nuk pranon të zbardhë arsyet: S’kanë interes për Shqipërinë arsyet e largimit tim, e rëndësishme është që vendi nuk mbeti vakant”.
Gëzim Saliu
Ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani deklaroi dje në Komisionin Hetimor për Serverin e Tatimeve se urdhëroi auditin për shkak se kishte sinjalizim se persona të paautorizuar kishin ndërhyrë në server në vitin 2013. Por sipas demokratëve i gjithë procesi i auditimit ishte i paligjshëm dhe jashtë procedurës normale që duhet të ndiqet në të tilla raste. Kreu demokrat i Komisionit Hetimor për serverin Arben Ristani deklaroi se Audituesit morën të dhënat dhe u larguan. “Auditi veproi pa ligj dhe pa procedurë”, tha ai.
Ndërhyrja në server
Mes debateve është zhvilluar dje në Komisionin Hetimor për Serverin e Tatimeve seanca dëgjimore me i ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Cani. Ky i fundit tha se kishte pasur informacione nga Drejtoria e Tatimeve se ishin bërë ndërhyrje në sistem, madje duke shprehur bindjen se ka vjedhje. Në këtë kontekst ai i sugjeroi ministrit të ri Ahmetaj të nisë sërish auditin pas mbylljes së hetimit. “Sot mbas gjithë kësaj kohe unë ju them me bindje se ministri i ri i financave të çojë audit IT të verifikojë të gjithë sistemin, Gjykoj se atje ka vjedhje dhe janë premisat që të ketë shuarje fshirje të dhënash.-tha Cani. Por sipas demokratëve ky veprim i ish ministrit ishte i pabazuar në ligj, çka u hodh poshtë nga Cani i cili tha se ky proces është kryer në përputhje me ligjin për auditimin. “Dhe njëherë po ju them është neni 17 që më lejon të marr ekspertë të jashtëm , unë i kam marrë. Ju konkluduat për gjëra që ju i dini. Unë nuk e bëra procedurën me kosto e bëra pa kosto. S’më ndalon ligji.”- deklaroi ai. Ndërkohë deputeti socialist Ervin Koçi deklaroi se opozita po bën politikë dhe është pa argumente për këtë çështje. “Teatri Politik i opozitës nuk respekton vullnetin e vazhdueshëm tonin për te nxjerrë në shesh të vërtetën se çfarë cenimi sigurie dhe papërgjegjshmërie të përsëritur dhe të vazhdueshme ka pasur nga qeveria e vjetër për të dhënat më të rëndësishme financiare të sistemit tonë ekonomik dhe të biznesit të ndershëm shqiptar që beson në një shtet të përgjegjshëm dhe transparent. Për mazhorancën e sotme është kriminale papërgjegjshmëria për të mos audituar dhe garantuar asnjëherë në 8 vite truri elektronik i ekonomisë dhe financave të shqiptarëve”, tha ai. Ndërkohë në përfundim të mbledhjes Cani u pyet edhe për shkarkimin e tij, por ai theksoi se,: “Nuk kanë interes për Shqipërinë arsyet e largimit tim. E rëndësishme është që vendi nuk mbeti vakant”.
Debati në Komision
Cani: Kisha sinjalizimi nga Drejtoria e Tatimeve se janë bërë ndërhyrje në sistem. Kam zbatuar pikë për pikë rregullat që përcakton ligji për auditin në gjitha procedurat.
Ristani: Kush e bëri shortin e listës së audituesteve?
Cani: Listën e bëri këshilltari im, Panajot Gjiknuri
Ristani: Pse morët ekspertë të jashtëm, ishte bazuar në ligj?
Cani: Po! Këtë të drejtë ma jepte neni 17 i ligjit për auditimin, dhe ne morëm ekspertë të jashtëm pasi Ministria nuk ka të specializuar për këtë çështje. Kam bindjen se ka vjedhje. I sugjeroj ministrit të ri të nisë sërish auditin pas mbylljes së hetimit.
Ristani: Auditi, përfundimisht ke vepruar pa ligj dhe pa procedurë
Cani: Pse ka shqetësim për grupit të auditimit, kur konstatohen ndërhyrje. Zgjodha praktikën për të sqaruar urgjentisht situatën me risk të lartë. Opozita po i jep mbrojtje politike vjedhjes.
Ristani: Audituesit që dërguat, morën të dhënat dhe u larguan. Jam i qarte keni vepruar pa ligj.