“Nderim martirëve”, Berisha përkujton kryengritjen antikomuniste të Zhapokikës

0
834

Në një reagim në Facebook, Berisha shprehet se kryengritja antikomuniste të Zhapokikës, “shënon një faqe të ndritur të revoltës dhe qendresës heroike të banorëve të kësaj zone dhe të jugut të vendit kundër diktaturës mizore komuniste të Enver Hoxhës”.

Ish-kryeministri shprehet se kryengritja e banorëve të kesaj zone u shtyp me egërsi të paparë, por si lëvizja antikomuniste më e fuqishme e banorëve të jugut të Shqipërisë, “tronditi thellë regjimin diktatorial dhe pati jehonë të madhe brenda dhe jashtë vendit”.

Reagimi i plotë:

Të dashur miq, sot është 75 vjetori i kryengritjes antikomuniste të Zhapokikës, e cila shënon një faqe të ndritur të revoltës dhe qendresës heroike të banorëve të kësaj zone dhe të jugut të vendit kundër diktaturës mizore komuniste të Enver Hoxhës.

Banorët e Zhapokikës, Tepelenë në shtator-tetor të vitit 1948 të përballur me represionin e egër dhe terrorin komunist, u organizuan dhe krijuan çetën e luftëtarëve të lirisë të drejtuar nga Komandant Bajram Kamber Ahmata. Sekretar politik, Xhemal Brahimi, Mehmet Yzeiri nënkomandant, Sulo Kaso dhe Sefer Yzeiri anëtarë të shtabit. Çeta e luftëtarëve të Lirisë i vuri vetes si qëllim kryesor organizimin e kryengritjes së armatosur antikomuniste, përmbysjen me armë të regjimit komunist dhe krijimin në Shqipëri të një qeverie kombëtare.

Drejtuesit dhe anëtarët e Çetës vendosën lidhje me familje dhe persona antikomunistë dhe nacionalist në zona të tjera të Tepelenës, por dhe Beratit, Mallakastrës. Mirëpo sulmi i tyre kundër forcave të regjimit nuk pati sukses. Me gjithë trimërinë e pashoq të luftëtarëve të lirisë, armatimi i pakët bëri që sulmi i kryengritësve të Zhapokikës të dështojë. Kryengritja e banorëve të kesaj zone u shtyp me egërsi të paparë.

Drejtuesit e kryengritjes u pushkatuan, mbi 100 kryengritës të tjerë u burgosën dhe u dënuan me dënime të rënda. Por megjithëkëtë, kryengritja e Zhapokikës, si lëvizja antikomuniste më e fuqishme e banorëve të jugut të Shqipërisë, tronditi thellë regjimin diktatorial dhe pati jehonë të madhe brenda dhe jashtë vendit.

Nderim për jetë martirëve të Zhapokikës, kryengritësve të saj!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here