Caktohen datat e radhës të protestave të opozitës, Berisha: Nuk ka forcë që na ndal!

0
311

Përveç protestës së të enjtes para parlamentit, opozita do të protestojë edhe më 27 Dhjetor para Gjykatës së Lartë. Në këtë ditë, GJL pritet të shprehet lidhur me vendimin për “vulën e Partisë Demokrate”.

Vendimi u njoftua Sali Berisha gjatë protestës së sotme që PD mbajti para hyrjes së kryesisë së Kuvendit, ku Këshilli i Mandateve shqyrtoi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit ndaj kryetarit të PD-së.

“Më 27 dhjetor, çdo demokrate dhe demokrat, përpara Gjykatës së Lartë, ku Edi Rama ka porositur ekzekutimin e identitetit tonë. Ne do qëndrojmë. Ne do fitojmë! E enjtja që vjen, të gjithë përpara parlamentit monist”, tha Berisha.

Protesta e kësaj të hënë nisi rreth orës 11:30 dhe zgjati rreth dy orë. Nuk pati incidente, ndërsa folës të ndryshëm, figura të njohura në PD, mbajtën fjalimet e tyre. I fundit ishte kreu i PD-së Sali Berisha, i cili e krahasoi lëvizjen e sotme opozitare me atë të studentëve të dhjetorit.

Gjatë fjalës së tij, Berisha hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së drejtuar prej tij, që e cilësoi “regjim që po shfaros shqiptarët”.

Akuza hodhi dhe ndaj SPAK, organ për të cilin tha se po vepron si vegël e kryeministrit.

Ai paralajmëroi se lëvizja do të vijojë “gjer ditën e fitores”.

“Të betuar se do përdorim çdo mjet të mosbindjes civile ndaj këtij regjimi. Të betuar, çdo mjet të mosbindjes civile, nuk ka më, nuk ka forcë që na ndal më. Ne jemi dhe do mbetemi luftëtarë të lirisë gjer ditën e fitores së plotë. E largimit, e përmbysjes së këtij regjimi që po shfaros shqiptarët”, u shpreh kryedemokrati.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here