Vdekja e dy emigrantëve, raporti kritikon Britaninë: Azilkërkuesit shqiptarë keqtrajtohen, po rrezikoni shëndetin mendor

Leonard Farruku dhe Alfred Dosku janë dy emigrantët shqiptarë të ciëlt ndërruan jetë në Britaninë e Madhe, ku kishin shkuar për të kërkuar azil.

Farruku vrau veten në “anijen-hotel” ku vendosen të gjithë emigrantët e paligjshëm që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa Dosku pasi tentoi vetëvrasje, humbi jetën në një spital.

Njësia Ligjore për Fëmijët e Migrantëve dhe Refugjatëve (MiCLU) me bazë në Qendrën Juridike Islington ka publikuar një raport ku thekson një sërë shqetësimesh mbi trajtimin e shqiptarëve në sistemin e emigracionit dhe azilit në Mbretërinë e Bashkuar.

MiCLU thotë se emigrantët shqiptarë, veçanërisht, po trajtohen në një ambient armiqësor të cilët përbëjnë rrezik për shëndetin e tyre mendor. Sipas raportit, qëndrimi i tyre në mjedise të tilla paraburgimi është rrezik.

“Kushtet në paraburgimin e imigracionit dhe në akomodimet jo të paraburgimit si Bibby Stockholm, janë veçanërisht të ngutshme për klientët tanë shqiptarë të cilët janë në rrezik shumë më të madh për t’u urdhëruar të jetojnë në këto mjedise. Për më tepër, përvoja si shqiptar është i ndryshëm në krahasim me kombësitë e tjera për shkak të mjedisit armiqësor me të cilin përballen shqiptarët kur bëjnë pretendimet e tyre – mundësia e kthimit, kultura e mosbesimit dhe kërcënimi i dispozitave si ato të përfshira në Aktin e Migracionit të Paligjshëm që do ta konsiderojnë Shqipërinë një vend të sigurt dhe pretendimet e papranueshme”, thuhet në raport.

Ndër të tjera, MiCLU i referohet edhe narrativës negative të përdorur nga aktorët politikë në Briatni, çka diskriminimin dhe racizmin ndaj komunitetit shqiptar në Britaninë e Madhe. Sipas dëshmive nga të rinjtë shqiptarë në MB, ata nuk duan të trajtohen si “plehra” dhe shprehen se përballen me narrativa të ngjashme në shoqëri.

“Të rinjtë që ne mbështesim shpesh na thonë se u duken të dëmshme mediat dhe narrativat politike për ta dhe vendin e tyre dhe se ata ‘nuk duan të trajtohen si plehra’. Kjo ka një ndikim të fuqishëm në ndjenjën e tyre të përkatësisë. pasi u është dashur të ikin nga Shqipëria, por nuk ndihen të mirëpritur në MB”, vë në dukej MiCLU.

Raporti thekson se emigrantët shqiptarë e kanë të vështirë të gjejnë një avokat për t’i përfaqësuar në çështjet ligjore, madje çdo kërkesë për azil që bëhet nga shtetas shqiptarë, është e destinuar të mos ketë sukses.

“Ndërsa është gjithnjë e më e vështirë për këdo që të sigurojë përfaqësim ligjor në MB, shqiptarët përballen me vështirësi të veçanta për shkak të natyrës së rasteve të tyre. Çdo kërkesë për azil për një të ri shqiptar nuk ka gjasa të jetë e suksesshme pa dëshmi të rëndësishme të ekspertëve”, vijon raporti.

Share it :