Gjekmarkaj: Arrestimi i Berishës, politik. U shkel me të dyja këmbët Kushtetuta!

Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, në një intervistë për syritv komentoi edhe arrestimin politik të liderit të opozitës, Sali Berisha. Ai tha se në këtë rast është shkelur Kushtetuta me të dyja këmbët.

‘Në çdo rast, arrestimi i zotit Berisha është një ngjarje me konotacion të fortë politik.

Mënyra se si u realizua kjo, unë nuk jam kundër asnjë procesi ndaj askujt. Kur ka dyshime apo akuza, duhet të hetohet dhe të bëhet një proces i ndershëm.

Por kur drejtësia fillon e shfaq nuanca, shfaq inate, shfaq pasione, shfaq përzgjedhje, ajo nuk është më një drejtësi racionale dhe e ftohtë dhe këtu fillon e merr nuanca politike e gjtihë gjëja.

Në rastin e zotit Berisha, mendoj unë, është shkelur me të dyja këmbët nenin 73 i Kushtetutës, kur u kërkua t’i kufizohej liria pa lejen e parlamentit.

Meqenëse zoti Berisha nuk e respektoi këtë vendim të gjykatës që binte ndesh me Kushtetutën e vendit, sjellja e organeve të drejtësisë ishte një sjellje inatçore dhe hakmarrëse, çka e shtyu parlamentit të bëhej noter i kësaj paligjshmërie.

Më vjen keq sepse Kuvendi është tempulli kryesor që duhet të mbrojë jo vetëm deputetët, por të gjithë garancitë e qytetarëve përballë çdokujt në vend.

Kjo ha shumë interpretim dhe lë shumë për të dëshiruar si një ngjarje e cila u krye në ndërrimin e viteve.

Zoti Berisha është person që është arrestuar pa qenë i akuzuar. Është thjesht nën hetim. Politikanët në gjysmën e Europës ushtrojnë funksionet e tyre duke qenë nën hetim.

Ky është një rast që le shije shumë të keqe, për më tepër për fazën ku është PD. Duke e ditur se zoti Berisha, përtej dëshirave dhe qëndrimeve të mia apo kolegëve të tjerë, ka marrë në rastin më të keq 510 mijë vota, pra ka pasur mbështetjen e shumicës.

Çdo njeri që e do opozitën në këtë vend është përballë një alternative, ose do bëjë sikur bën opozitë ose do bëjë opozitë të vërtetë.

Për të bërë opozitë të vërtetë, duhet të marrësh parasysh shumicën dhe realitetin politik të PD. Nëse nuk i bën llogaritë me këtë, i bie që po bën opozitë fake dhe artifica për të bashkëpunuar me pushtetin,’ tha Gjekmarkaj.

Share it :