Rama vetëm ha dhe blen vota, ndaj nuk pranon votimin e ndershëm!

Nga Petrit Vasili.

Rama vetëm ha dhe blen vota, ndaj nuk pranon votimin e ndershëm! Edi Rama ka frikë patologjike nga zgjedhjet e lira dhe të barabarta dhe vetëm ha dhe shqyen vota të blera e të manipuluara.
Të gjithë e kujtojnë si asgjesoi zgjedhjet në partinë e tij kur pengoi dhunshëm Blushin për të konkuruar për kryetar partie.

Të gjithë e kujtojnë shumë mirë se Partia Demokratike dhe Berisha në pushtet, pranuan propozimin e Edi Ramës në opozitë për ligjin spanjoll të zgjedhjeve, ligj që është në fuqi edhe sot e kësaj dite për 16 vjet rresht.

Të gjithë e kujtojnë se si Edi Rama shkatërroi marrëveshjen konsensuale të 5 qershorit të vitit 2020 dhe arriti sa ndryshoi edhe Kushtetutën për të marrë në tavolinë avantazhe të padrejta dhe të pista për vete.

Kjo marrëveshje, që u përshëndet nga i gjithë faktori ndërkombëtar që nga Departamenti i Shtetit, BE etj. u asistua nga ambasadorët e SHBA, BE dhe Anglisë në Tiranë dhe u draftua në selinë e ambasadores amerikane në Shqipëri.

Të gjithë e dinë se që nga viti 2017, kur Edi Rama ka marrë i vetëm pushtetin, zgjedhjet e organizuara nga qeveria e tij moniste kanë qenë njëra më zi se tjetra dhe raportet e ODIHR kanë qenë më të rëndat e pluralizmit shqiptar.

Të gjithë e dinë që shitblerja e votave në parlament ka pasur autor vetëm Edi Ramën, i cili edhe reformën në drejtësi kërkonte ta bënte duke blerë vota.

Të gjithë e dinë që shitblerja e votës u kthye në sistem nga Edi Rama në gjithë teritorin e vendit duke shkatërruar i institucionin e votës së lirë.

Të gjithë e mbajnë mend që Edi Rama nuk hynte në zgjedhje për një çertifikatë lindjeje, ndërsa sot është simboli i manipulimit mafioz të zgjedhjeve.

Të gjithë e mbajnë mend që pa asnjë fakt zaptoi bulevardin me çadra me ulërimën : “Hap kutitë ose largohu”, sepse humbi zgjedhjet e vitit 2009.

Ndërsa sot është vërsulur përmes shitblerjes që të rrëmbejë komisionin e Reformës Zgjedhore.

Gjithçka ka vetëm një arsye dhe një hall: tmerrin e Edi Ramës nga zgjedhjet e lira, pa presion e pa shitblerje votash.

Share it :