Qeveria i merr biznesit edhe Dhomat, synon nxjerrjen jashtë loje të shoqatave të sipërmarrjes

0
240

Këshilli Ekonomik Kombëtar ka shpërndarë së fundmi tek shoqatat e biznesit një model të ri të përfaqësimit të sipërmarrjes, përmes së cilit praktikisht qeveria do të “monopolizojë” përfaqësimin e sipërmarrjeve në Dhoma e Shoqata biznesi.

Thelbi i këtij modeli përfshin riorganizimin e modelit aktuale drejt modelit të pastër të së drejtës publike, në respektim të parimeve të një sistemi të unifikuar, me qasje sektoriale dhe ndarje rajonale. Reforma parashikon forcimin e pozitës së Dhomës Publike dhe krijimin e Dhomës Unike Ekonomike Kombëtare. Anëtarësimi i subjekteve tregtare do të jetë i detyrueshëm në harmoni me normat kushtetuese dhe modelet ndërkombëtare.

Kuotizacioni do të jetë i përshkallëzuar në bazë të llojit dhe xhiros vjetore, me kuotë minimale simbolike për biznesin e vogël, me përfaqësim sektorial dhe rajonal.

Ky model, sipas raportit, do të nxiste një zë të unifikuar të biznesit dhe do të promovonte një dialog të rregullt me organet shtetërore për nxitjen dhe zhvillimin e bizneseve

Në raport quhet problematike numri i lartë i organizatave të biznesit, me më shumë se 180 shoqata. Sipas raportit ka një nivel të çrregullt të përfaqësimit sektorial, përfaqësimit rajonal dhe ndërkombëtar si dhe ka llogaridhënie dhe transparencë të dobët të veprimtarisë së dhomave dhe mungesë kohezioni dhe partneritet me Dhomat bilaterale.

Roli për krijimin e këtij modeli të ri i është lënë Ministrit për Sipërmarrjen, që do të ngrejë një Komision të përkohshëm me objektiv ngritjen e sistemit të ri të dhomave dhe organizimin e zgjedhjeve të para të organeve drejtuese dhe vendim marrëse brenda dy viteve nga hyrja në fuqi e ligjit.

Komisioni i përkohshëm do të përgatisë aktet nënligjore dhe zgjedhjet në sistemin e Dhomës Ekonomike Kombëtare dhe Dhomat sektoriale, duke shënuar dhe shpërbërjen e Komisionit të Përkohshëm me zgjedhjen e organeve drejtuese.

Financimi fillestar i Dhomës Ekonomike Kombëtare do të subvencionohet nga shteti për një periudhë 2 vjeçare, duke filluar që nga momenti i fillimit të punës së komisionit.

Raport i ri, ide të vjetra

Disa vjet më parë, në vitin 2016, qeveria tentoi të zbatonte të njëjtën skemë, për anëtarësimin me detyrim të bizneseve në një Dhomë tregtie, por u tërhoq pas kundërshtimit të ashpër të shoqatave të biznesit. Ata e quajtën anëtarësimin me detyrim një taksë të fshehtë, ndërsa pohuan se përmes kësaj skeme qeveria do e kontrollojë me lehtësi biznesin, ndërsa shmang rolin e Dhomave aktuale, pjesa më e madhe e të cilave funksionon si e pavarur, duke i bërë oponncë politikave qeveritare./Monitor

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here