Ish-deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi i ftuar në studion e emisionit “Open” në News 24 ka komentuar vajtjen për herë të parë në ambientet e SPAK të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Boçi u shpreh se Berisha ka shprehur gatishmërinë për të respektuar institucionet dhe se ditën e sotme ai ka mbrojtur Kushtetutën duke mos iu përgjigjur thirrjes së parë të SPAK.
Sipas tij ish-kryeministri sot ka rrëzuar “gjithë alibinë që ai nuk respekton institucionin e SPAK”, ndërsa shtoi se Prokuroria e Posaçme pretendonte se Berisha nuk do të respektonte këtë marrje në pyetje dhe kjo do të sillte një masë tjetër ndaj tij.
“Berisha ka shprehur gatishmërinë për të respektuar institucionet dhe masën e paraqitjes nuk e ka respektuar për të ruajtur parlamentin. Nëse SPAK do të ndiqte rrugën ligjore dhe do kërkonte që deputeti të pyetej pa masë sigurie, sigurisht që Berisha do të bënte të njëjtin akt si sot në raport me pyetjen.
Në këtë rast është e qartë që interesi i publikut lidhet edhe me fatin e situatës zgjedhore. Qëllim i SPAK ishte të merrte Berishën në pyetje, pse duhet të kalonte në masa arbitrare ndaj një deputeti? Berisha mbrojti Kushtetutën, sistemi i drejtësisë duhet të jetë i balancuar në raport me parlamentin dhe ekzekutivin.
Sot Berisha rrëzoi gjithë alibinë që nuk respekton institucionin. Ata pretendonin që Berisha nuk do të respektonte këtë marrje në pyetje dhe do të përgatitnin një masë tjetër ndaj tij. Pyetjet ishin sikur Prokuroria kishte zbritur nga Marsi”, u shpreh ai mes të tjerash.