Ne fjalen e tij para qytetareve protestues, Sali Berisha tha se Shqipëria sot është në diktaturën e drogës, krimit, vjedhjeve dhe kjo u realizua vetëm e vetëm nëpërmjet mekanizmit të shndërrimit të krimit në votë dhe votës në krim.
‘Një prokuror i ndershëm, i guximshëm, regjistroi në kohë elektorale dhe doli se Edi Rama, Damian Gjiknuri, Ulsi Manja, Vangjush Dako, Pjerin Ndreu, shefa policie, deputetë etj, vepronin së bashku si organizatë e shëmtuar kriminale kundër vullnetit të qytetarëve.
Blinin vota, terrorizonin me banda qytetarët.
Sa vite kanë dosjet 184 dhe 339? Çfarë bëri Dumani me Dumanët e tij? Asgjë, asgjë, bëri avokatin e krimit elektoral më të shëmtuar në Shqipëri.
Atëherë miqtë e mi, ç’përfaqëson Dumani? A përfaqëson ai krimin e Edi Ramës?
A nuk është ai një protagonist i shëmtuar i krimit elektoral.
Një natë, unë u thashë, ua shpjegova, një oficer i guximshëm i Shërbimit Informativ Kombëtar, me bashkëpunëtorët e tij, regjistruan zyrtarë dhe qeveritarë në Kukës, teksa ndanin për qëllime elektorale 1 milionë euro.
Regjistruan zëra kriminelësh që kërkonin armë për të likuiduar kandidatin e opozitës.
Dumani i krimit fle mbi këtë dosje dhe ka fytyrë të zotohet se ne jemi të paanshëm, se ne jemi të pavarur.
Pavarësia jote është varësi fund e krye ndaj krimit dhe ti do përgjigjesh gjithë jetën tënde për këto qëndrime.
Qytetarë dhe qytetare, të dashur miq, drejtësia e paanshme, drejtësia që garanton të drejtat civile të qytetarëve është themeli i shtetit ligjor, i rendit demokratik.
Por kur drejtësia ka përfunduar në duart e krimit, është emergjencë kombëtare të rivendosim drejtësinë e vërtetë, të shpëtojmë Shqipërinë nga kthetrat e kësaj bande të rrezikshme për Shqipërinë, të rrezikshme për rajonin, të rrezikshme për aleatët tanë.
Rrofshi ju, Rruga e shpresës është rruga e fitores.
Fitore, fitore, fitore!’