Arlind Qori: Më i shqetësuar duket Veliaj, e ka vendin në burg

0
138

Për të shtunë e dytë radhazi, “Lëvizja Bashkë” e drejtuar nga Arlind Qori ka protestuar në Tiranë kundër korrupsionit, por duket se këto protesta kanë shkaktuar shqetësime tek dyshja Rama-Veliaj. Dy portale pranë qeverisë kanë fabrikuar një lajm për Arlind Qorin, ku në një fotografi të kapur me tre gishtat e ngritur gjatë një bashkëbisedimi me një qytetar, mediat e kanë “shitur” si nderim me simbolin e Millosheviçit.

Në lidhje me këtë lajm, ka reaguar së fundmi Arlind Qori, ku sipas tij, ky fabrikim tregon se Erion Veliaj dhe Edi Rama ia kanë frikën Lëvizjes Bashkë dhe se në pamundësi për të gjetur qoftë edhe cenin më të vogël në karakterin dhe veprimtarinë e tyre, detyrohen të manipulojnë në mënyrën më të trashë të mundshme.

Ai thotë se më i shqetësuar duket Erion Veliaj, i cili është strumbullari i skandalit korruptiv të inceneratorit të Tiranës. Sipas tij, vendi i Erion Veliajt, Edi Ramës dhe qehajajve të tyre është në qelitë e ftohta me dyshek përtokë të burgjeve shqiptare.

Reagimi i plotë:

MJERIMI I PORTALEVE TË PUSHTETIT

Sot dy portale që i shërbejnë kokë e këmbë e gjuhë Edi Ramës dhe Erion Veliajt – lexo.al dhe javanews – kanë fabrikuar lajmin se unë kam nderuar me simbolin e shovinizmit serb. Fotoja origjinale është postuar dje nga faqja e Lëvizjes BASHKË dhe tregon bisedën time me një qytetar në hyrje të sheshit Skënderbej. Si çdo njeri normal, edhe unë përdor gishtat për të numëruar problemet dhe në foto kam arritur te problemi i tretë.

Çdo njeri me sy në ballë dhe mend në kokë e kupton kollaj të vërtetën.

Ky fabrikim tregon dy të vërteta:

1. Erion Veliaj dhe Edi Rama ia kanë frikën Lëvizjes BASHKË.
2. Në pamundësi për të gjetur qoftë edhe cenin më të vogël në karakterin dhe veprimtarinë tonë, detyrohen të manipulojnë në mënyrën më të trashë të mundshme.

I shqetësuar duket veçanërisht Erion Veliaj, të cilit dje Byroja Kombëtare e Hetimit i ka hyrë në bashki për t’i sekuestruar materiale që mund të tregojnë atë që e dinë të gjithë: ai është strumbullari i skandalit korruptiv të inceneratorit të Tiranës.

Si përfaqësues i Lëvizjes BASHKË, zotohem se nuk do të heqim dorë asnjë çast nga përpjekja për të organizuar qytetarët kundër korrupsionit dhe të korruptuarve. Për ne, vendi i Erion Veliajt, Edi Ramës dhe qehajajve të tyre është në qelitë e ftohta me dyshek përtokë të burgjeve shqiptare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here