Ligji për Investimet Strategjike, i miratuar në vitin 2015, u shty 5 herë dhe afati i fundit ishte deri më 31 dhjetor 2023. Por së fundmi, PS ka propozuar që afati të zgjatet deri më 31 dhjetor 2027, pra me 4 vite të tjera. Projektligji i propozuar nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë Eduard Shalsi është depozituar tashmë në Kuvend, ku siç ndodh zakonisht pritet të miratohet pa surpriza.
Kjo shtyrje e afatit (për të 5-tën herë), vjen që nga 2015, kur ligj u krijua duke synuar investitorët e huaj. Ata pritej të ndërtonin në Shqipëri, për të investuar një minimum prej 5 milion eurosh dhe duke punësuar të paktën 80 persona. Kjo do të hapte edhe vende pune por do të rriste edhe investimet e huaja.
Në këmbim, qeveria i jepte tokën për çmimin simbolik 1 euro. Mirëpo realizimi rezultoi shumë larg qëllimit fillestar.
Ligji pati kritika që në fillim për klientelizëm dhe si favorizues i një grupi të vogël biznesesh dhe emrash “VIP” në Shqipëri. Kjo për shkak se në tërësi investitorët e huaj ishin në një numër “modest” krahasuar me ata shqiptarë.
Kompetencat e shumta për këtë ligj, i ka Komiteti i Investimeve Strategjike, që udhëhiqet sigurisht nga kryeministri dhe ministrat, të cilët vendosin se kujt to t’ia japin dhe kujt do i refuzohet ky status prestigjioz.
Të paktën 5.8 milion m2 tokë, pasuri kombëtare e jona, iu fal nën petkun e investitorit strategjik oligarkëve, emrave të përfshirë në krime dhe në trafikun e drogës, familjeve të ministrave ose miqve të partisë.
Media Ditari ka zbardhur më herët të gjitha vendimet e Komitetit dhe në listën e përfitueve gjen gjithçka; biznesmenë shqiptarë, familjarë ministrash, aktorë humori, të huaj ofshorë, madje edhe miliarderin shqiptar të Kosovës, Behxhet Pacollin.
Nuk mungojnë as rastet e personazheve të lidhur me krimin, si emri i Pëllumb Gjokës, i arrestuar në operacionin “Metamorfoza” si i lidhur me grupe të strukturuara kriminale, ose rasti i konfliktit të interest me familjarët e ministres së Jashtme Olta Xhaçka, ku bashkëshorti dhe kunata e saj, morën statusin e investitorit strategjik për të ndërtuar një resort në Dhërmi.
Nga 24 projekte që ishin dhënë deri në vitin 2022, 22 prej tyre ishin shqiptarë dhe vetëm 2 të huaj. Madje disa nga kompanitë, që kanë marrë statusin e investitorit strategjik, nuk e justifikojnë potencialin për të investuar përmes kapitalit dhe të ardhurave të kompanive të tyre, duke vënë në pikëpyetje sigurimin e financimit, si nga bankat, ashtu edhe në vlerën reale që do të kushtojë projekti.
Si pasojë, ekziston rreziku i financimit përmes parave të pista apo i rritjes fiktive të vlerës së projektit për të përfituar benefitet që burojnë nga statusi i investitorit strategjik.
Zona më e synuar është sigurisht bregdeti i jugut të Shqipërisë, i njohur për bukurinë e mahnitshme dhe zonat e virgjëra, që ndjellin epshin e atyre që duan të investojnë pasurinë.
Jo vetëm kaq, në dhjetor pati edhe një projektligj të propozuar sërish nga PS, ku kërkohej t’u hapej rrugë ndërtimeve në parqet kombëtare, me qëllim zhvillimin e ekonomisë së qëndrueshme. Propozim ky që është totalisht kundër parimit themelor të ligjit, që është pikërisht mbrojtja e këtyre zonave. Qeveria doli hapur pro propozimit, pasi sipas saj ka patur këmbëngulje të vazhdueshme nga bashkitë, të cilat janë nën presion për zhvillim ekonomik dhe social. Pra babëzisë së ndërtimeve pa kriter nga “investitorët strategjikë” nuk do t’u shpëtojnë as zonat e mbrojtura.
Sipas propozimit të ri statusi “investitor strategjik” me procedurë të asistuar, në çdo sektor do të jepet nëse vlera e investimit është mbi 50 milionë euro si dhe duhet që të garantohen minimalisht 300 vende pune.
Mirëpo e gjitha vjen në një paradoks të plotë, sepse Shqipëria po vuan shumë nga mungesa e fuqisë punëtore vitet e fundit dhe ligji për investitorët strategjikë nuk ka plotësuar as synimin fillestar për të cilin u nis e gjitha kjo. Atëherë për çfarë po e shtyn sërish qeveria këtë vendim, ndërkohë që shqiptarët vazhdojnë të largohen nga vendi, pa parë asnjë shpresë për të ardhmen?