Apeli i GJKKO-së rrëzoi sot kërkesën e Fredi Belerit për leje të posaçme për të marrë detyrën si kryetar i bashkisë Himarë.
Avokati Geni Gjyzari, që përfaqësoi në gjykatë z. Beleri, duke folur në emisionin “Të Paekspozuarit” tha se e kërkonin dhënien e lejes së posaçme për të bërë betimin e Belerit si kryetar bashkie, sepse kjo është pjesë e procesit zgjedhor, jo për të shkuar në punë. Gjyzari tha se kjo çështje do të shkojë deri në Strasburg
“Sot ishte shpallja e vendimit. Gjykimi ishte në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, sepse gjykata e Apelit të Posaçëm gjykon me tre anëtarë, por gjyqtarja vendosi ta gjykojë me një gjyqtar.
Kërkuam përjashtimin e gjyqtares, sepse procesi i rregullt gjyqësor kërkon një trupë të rregullt me tre gjyqtarë. Është hera e parë në dijeninë tonë që ndodh kështu. Na la të flisnim disa herë dhe shpalli vendimin. Tha nuk e lejon ligji dhe nuk e dha lejen.
Ne kërkonim dhënien e lejes së posaçme për të bërë betimin, sepse ai është pjesë e procesit zgjedhor, ndaj e kërkonim jo për të shkuar në punë.
Gjykata tha se nuk jepet leje sepse sipas saj ajo jepet për t’u mjekuar, për vdekje etj.
Ne e interpretuam si sulm ndaj kushtetutës, ndaj nenit 45 të saj dhe ndarjes së pushteteve, pra i thoshte qeverisë merre ti, cakto një komisar në bashkinë e Tiranës se është gjendje e jashtëzakonshme. Jo, nuk ka gjendje të jashtëzakonshme në Himarë, sepse ishin zgjedhje të lira dhe u vendos.
Tani gjithë vëmendja është te Gjykata Kushtetuese. Kryetarja e gjykatës ka në dorë për të nxjerrë datën e gjykimit, sepse kanë kaluar tre muaj.
Është sulm ndaj Kushtetutës, por ne nuk morëm përgjigje sot. Gjithë vëmendja është te Gjykata Kushtetuese.
Nëse Kushtetuesja do të ngrejë barrierë edhe përpara këtyre shkeljeve do jetë fytyra jonë në Europë.
Vetëm datë gjykimi kërkojmë, ka tre muaj që ka kaluar për gjyq dhe nuk ka datë gjykimi. Patjetër që do e çojmë në Strasburg”-tha avokati Gjyzari.