Pak ditë para seancës së 16 shkurtit/ Dosja shqiptare, gjykatësja amerikane rëndon me tre nivele akuzën ndaj McGonigal

0
184

Pak ditë përpara 16 shkurtit, kur pritet të jepet vendimi final për dosjen shqiptare të Charles McGonigal, gjykatësja e kësaj çështje ka rënduar akoma më shumë pozitën e ish-agjentit të lartë të FBI, që u korruptua për llogari të Edi Ramës.

Gjykatësja Colleen Kollar-Kotelly ka dhënë vendimin e saj të fundit përpara se të japë dënimin për pretencën e kërkuar nga prokuroria, e cila thotë se McGonigal duhet të vuajë edhe 30 muaj burg për dosjen shqiptare. Përveç kësaj, McGonigal duhet të paguajë edhe 95 mijë dollarë gjobë.

Në qendër të vendimit të fundit të gjykatëses është fakti se akuza ndaj McGonigal është rënduar me tre nivele. Kështu, fillimisht McGonigal ka pranuar fajin për akuzën e ‘fshehjes së fakteve materiale’. Avokatët e McGonigal thanë se niveli bazë i këtij krimi, përllogaritur në ligjet penale amerikane, është 6. Por për shkak të rrethanave rënduese, prokuroria thotë se ky nivel ka shkuar në 16.

Avokatët e McGonigal thonë se kjo është një përllogaritje e gabuar, ndaj kërkuan nga gjykatësja rrëzimin e kërkesës së prokurorisë. Megjithatë, gjykatësja thotë se përllogaritja është e saktë dhe se niveli total i krimit të McGonigal është 16 dhe jo 6. Sipas saj, përgjegjësia penale e McGonigal është rënduar për disa arsye.

Së pari, për shkak se prokuroria pretendon me të drejtë se duhet imponuar përgjegjësi penale për ‘këdo që me vetëdije… fsheh, mbulon, falsifikon ose bën një hyrje të rreme në çdo regjistër, dokument ose objekt të prekshëm me qëllim për të penguar ose ndikuar në hetimin ose administrimin e duhur të çdo çështje brenda juridiksionit të çdo departamenti apo agjencie të Shteteve të Bashkuara’.

Më tej, gjykatësja pranon si të bazuar kërkesën e prokurorisë se rritja e përgjegjësisë penale është bërë sepse ‘vepra e të pandehurit përfshin ndërhyrje thelbësore në administrimin e drejtësisë, që përkufizohet si përfundim i parakohshëm ose i papërshtatshëm i një hetimi për një krim, i një aktakuze, një aktgjykimi ose ndonjë vendimi gjyqësor të bazuar në dëshmi të rreme ose prova të rreme; ose shpenzimet e panevojshme të konsiderueshme qeveritare ose burimet e gjykatës’.

Në pretencën e prokurorisë thuhet se i pandehuri kishte fshehur natyrën e vërtetë të marrëdhënies së tij me personin A, në këtë rast Agron Nezën, dhe ka pranuar se ka folur ‘me një zyrtar të huaj për një çështje për të cilën personi A kishte interes financiar dhe hapi hetim penal bazuar në informacionin që i dha personi A, pa bërë publike se kishte marrë qindra mijëra dollarë nga personi A.

Në fund, gjykatësja thotë se akoma më i rëndë është fakti se veprimet e McGonigal gjatë veprës së tij rezultuan ‘në një shpenzim të panevojshëm të burimeve të konsiderueshme qeveritare’. Jo vetëm kaq, por burimet qeveritare u shpenzuan edhe sepse FBI nisi një rishikim të brendshëm të shumë hetimeve për ‘të siguruar se asnjë prej tyre nuk ishte komprometuar gjatë mandatit të të pandehurit si agjent special i FBI-së dhe agjent special mbikëqyrës’.

“Për shkak se veprimet e të pandehurit në lidhje me veprën e tij kërkuan një hetim të qeverisë që rezultoi në shpenzime të panevojshme qeveritare, në këtë rast garantohet një rritje me tre nivele,” thuhet në vendim.

Kujtojmë se vendimi final për Charles McGonigal do jepet më 16 shkurt. Ndërkohë prokuroria amerikane ka pranuar për herë të parë se qeveria shqiptare e Edi Ramës ka korruptuar një agjent të lartë të FBI për llogaritë e saj politike. Qëllimi final ishte dëmtimi i opozitës shqiptare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here