Forca të shumta policie për të prishur stallat e bagëtive në Kolonjë, pronarët e tyre të vetmit e mbetur në zonë

Ata janë të vetmit që kanë mbetur në këto fshatra të Kolonjës dhe që për të mbijetuar,  merren me blegtori, por shteti me sa duket nuk do t’ia dijë për këtë dhe gjen rastin për të zbatuar ligjin dhe për të prishur stallat e tyre pa leje.

Denoncimi vjen nga fshati Borovë i Ersekës, ku nuk jetojnë më shumë se 35 familje.

Ditën e sotme forca të shumta policie, inspektori për zonën dhe një fadromë e IKMT-së janë paraqitur në fshatin Borovë, ku duan të prishin disa stalla bagëtish të cilat janë ndërtuar poshtë një ure në atë zonë nga fermerët.

Këta të fundit shprehen se policët dhe punonjësit e bashkisë janë paraqitur për të kryer aksionin pa asnjë shkresë me vete.

“Po pse për kto delet keni ardhur 5 mijë polic ktu. Nuk iu vjen zor që keni ardhur 5 mijë police sikur kemi bërë ndonjë vrasje ne këtu. Ku e ke shkresë o zotëri. Vini këtu policë e punonjës të bashkisë e nuk keni një shkresë me vete.”, thotë një nag ato.

Blegtorët shprehen se janë të vetmit të mbetur në zonë dhe se bashkia e Kolonjës në vend që t’i ndihmojë, po i hedh në rrugë. Ata thonë gjithashtu se në mes të dimrit nuk kanë ku t’i çojnë bagëtitë.

“Ne jemi nje biznes prej shume vitesh ne treg qe rritim edhe mbajme gjithcka bio edhe ndihemi te cënuar nga Bashkia Kolonjë duke na hedhur ne rruge edhe jo duke na ndihmuar si fermer edhe si biznes familjar,” shkruan një nga blegtorët e prekur.

Borova njihet si fshati martir i Shqipërisë, ku nazistët vranë në 1943, rreth 107 banorë të fshatit, kryesisht gra, fëmijë dhe të moshuar.

Por ndonëse ky vend mbart histori dhe një natyrë të mrekullueshme, mungesa e investimeve dhe varfëria kanë detyruar pjesën më të madhe të largohet nga ky vend. Edhe pë rata që kanë mbetur, shteti kujtohet vetëm kur duhet t’ju prishë diçka që kanë ngritur mes sakrificave.

Share it :