Në një periudhë kur ligji për turizmin ka kaluar për diskutime në komisionet parlamentare, Dhoma Amerikane Tregtisë ka reaguar duke e konsideruar ligjin të paqartë në disa prej neneve të parashikuara. Teksa e mbështet ndërmarrjen e një ligji të tillë, Dhoma Amerikane vjen me një sërë propozimesh.
Detyrimi për t’u regjistruar në QKB mund të frenojë zhvillimin e sektorit në platformat online sipas Dhomës Amerikane pasi kërkon një sërë kostosh për sipërmarrësit e vegjël, si pagesën e sigurimeve shoqërore dhe tatimeve.
“Në lidhje me këto platforma mund të parashikohet një regjim i veçantë që t’i lejojë individëve të ofrojnë strukturat e tyre akomoduese pa u regjistruar në QKB (por mund të parashikohet regjistrimi në administratën tatimore) duke parashikuar pagesën e një tarife fikse.”
Për të dhëna të sakta dhe transparente Dhoma Amerikane sugjeron që strukturat akomoduese deklarimet e tyre ti bëjnë në platformën e-albania.
“Një nga problematikat kryesore që vërehet në këtë projektligj është që nuk ka asnjë parashikim në lidhje me praktikat apo instrumentet digjitale që institucionet (qoftë Ministria qoftë AKT) do të përdorin për të implementuar dhe ndjekur zhvillimet dhe gjurmimin e të dhënave, transparencës. Sugjerojmë që shumë shërbime duhet të jenë të aksesueshme në e-albania.”
Të tjera propozime që ky kjo dhomë tregtare sugjeron kanë të bëjnë me thjeshtëzimin e kategorizmit të agroturizmeve, përcaktimin e fondeve për projektet në sektorin e turizmit të cilat sipas tyre lënë vend për abuzim nëse nuk përcaktohen nga sipas procedurave të prokurimit public dhe dhënies për miratim nga ministria.
Ndalur tek kundravajtjet administrative, Dhoma Amerikane kërkon një përcaktim kush do ti monitorojë këto subjekte, afatet por dhe arkëtimin e gjobave.
Gjobat janë konsideruar një penalitet që mund të dëmtojë biznesin deri në mbylljen e tij sipas deputetëve demokrat. Nga Komisioni i Ligjeve deputeti Alibeaj kërkoi heqjen e tyre.
“Të ulet vlera e gjobave se dëmton bizneset ose të hiqet. Ligji i paqartë në një sërë pikash. A ka statistikë sa është masa e pretenduar informale, sa është nr. i ofruesve në të zezë i shërbimeve turistike? Mungesë standardesh për shërbimin në akomodim, si e keni identifikuar standardin e cilësisë së shërbimit?”.
Tashmë ligji për turizmin është votuar në 2 prej Komisioneve parlamentare. Pas diskutimeve në komisione, ky ligj pritet të kaloj në parlament për miratim.