Talentet shqiptarë që mahnitin Evropën

0
193

Pergatiti Jurges Veizaj

elvis kabashiGjatë gjithë kësaj kohe, flitet për të ardhmen e futbollit shqiptar. Arsyeja janë rezultatet e këqija e kësaj kombëtareje që nuk po jep frytet e duhura. A ka shpresë futbolli ynë të ecë në të ardhmen në kompeticionet evropiane dhe botërore? Një brezi i ri duket se do të sjellë ndryshimin në futbollin tonë.

 

Shqipëria gjatë këtyre 20 viteve të fundit është përballur me një tranzicion të përgjithshëm. Dhe kjo nuk ka lënë pa prekur as futbollin. Tradita jonë sportive ka nxjerrë në pah lojtarë të talentuar, të cilët kanë bërë epokën. Por me daljen nga sistemi totalitar shumë futbollistë emigruan jashtë shtetit në kërkim të një jete më të mirë. Disa për të vazhduar pasionin dhe profesionin e tyre, ndërsa të tjerë në kërkim të një pune që sillte fitim. Igli Tare, Erion Bogdani, Altin Lala, Rudi Vata dhe futbollistë të tjerë ishin “partizanët” e parë që filluan të kishin sukses edhe jashtë vendit. Të gjitha kompeticonet e luajtura nga Shqipëria kanë rezultuar negative dhe ekipi ynë nuk ka arritur asnjëherë të kualifikohet në kompeticionet e mëdha evropiane. Pas këtyre disfatave mediat kanë bërë reflektime dhe kanë thënë se pas këtyre dështimeve një pjesë të fajit e kanë dhe lojtarët të cilët nuk përfaqësojnë kombëtaren tonë. Kjo, sepse shumë lojtarë kanë zgjedhur të luajnë me ekipet respektive kombëtare të vendit ku aktivizohen në nivel klubi. Federata e ka marrë mësimin dhe kohët e fundit është vënë në kërkim të talenteve me origjinë shqiptare që aktivizohen në ekipet e moshave në Evropë. Nga kërkimet e shumta është parë që lojtarët me origjinë shqiptare që luajnë jashtë, janë një surprizë e këndshme për kombëtaren tonë. Edhe pse në moshë të vogël ata paraqesin potencial të madh. Shumica e tyre janë në vëmendjen e klubeve që kanë bërë historinë e futbollit.

Talenti Kabashi dhe lojtarët e tjerë që luajnë në Itali

Një ndër lojtarët të cilët është përfolur më shumë në Shqipëri, është emri i Elvis Kabashit. I rritur në Itali, Kabashi shfaqet si heroi i ardhshëm i kombëtares sonë. Ai luan në pozicionin e mesfushorit dhe ka një teknikë e forcë që e veçon nga bashkëmoshatarët e tjerë. Këto ditët e fundit nga performancat e tij të mira është parë me sy të mirë edhe nga tekniku i “Zonjës së Vjetër”, Antonio Konte. Trajneri italian duket se e ka pikasur talentin e djaloshit 18-vjeçar dhe ka vendosur ta mbledhë me skuadrën e parë. Një arritje tepër e madhe për një talent që është në hapat e parë të karrierës. Në deklaratat e tij ai është shprehur për sa i përket jetës së tij futbollistike. “Kam lindur në Itali dhe kam filluar të luaj me ekipe të grupmoshave të zonave, pastaj me mori ekipi i Empolit. Nga Empoli kalova tek Juventusi, tek ekipi im i zemrës. Nuk më besohet akoma që jam pjesë e Juventusit. Më kërkonte trajneri i ekipit të moshave të Italisë, por nuk pranova, jam shqiptar, kam gjak kuqezi. Nuk luaj për lekë, dua të bëhem i famshëm. Shpresoj dhe me këmbë në tokë të arrij kombëtaren e madhe”. Një deklaratë tepër e zjarrtë nga ana e një lojtari që luan në tokën e një prej kombëtareve që ka bërë historinë e futbollit botëror. Këtu duhet të marrim parasysh edhe afrinë e madhe që ka kombëtarja italiane me skuadrën e Juventusit, ku shumë lehtë mund të shohim që gjysma e lojtarëve që luajnë me bardhezinjtë janë në formacion kryesor. Ndoshta ky fat mund ta ndiqte edhe Kabashin, por që nuk e ka lëkundur besimin dhe vendimin e djaloshit për t’u veshur kuqezi. Për potencialin e Elvisit ka folur edhe një ndër lojtarët më të rëndësishëm të Juves, Klaudio Markizio. Kur ai është pyetur për pasardhësin e tij në skuadër, ai është përgjigjur: “Pasardhësi im? Kabashi ka disa pika shume të ngjashme me mua!” Transferimi i shqiptarit për te skuadra torineze bëri bujë të madhe në mediat shqiptare dhe pritet shumë nga djaloshi i ri, i cili tashmë në deklaratat e tij të fundit ka shprehur dëshirën për t’u aktivizuar me kombëtaren e madhe. Një ëndërr e cila do të realizohet shpejt, duke parë aftësitë e tij.

Dy talentet e tjerë të cilët janë në skuadrën italiane, janë dhe Francesco Tahiraj dhe Entonjo Elezaj. Në një intervistë ata “Asport.info”, ata shprehin se si janë bashkuar me klubin gjigant dhe cilat janë pritshmëritë e tyre.

Si jeni bashkuar me Juventus?

Francesco Tahiraj: Në moshën 11-vjeçare, kur luaja për CBS Milan, një ekip jo profesionist, ish-lojtari i Juventusit, Gianluca Pessoto, më pa dhe më kontaktoi. Bëra një provë të cilën e fitova dhe në verë të atij viti kalova tek Juventus.

Entonjo Elezaj: Unë kam qenë pjesë e një ekipi të Torinos dhe në moshën 6-7-vjeçare bëra një provë tek Juventusi, të cilën e fitova.

Kur dhe kush ju kontaktoi nga Federata Shqiptare dhe a ka pasur interesim nga Federata Italiane?

Francesco Tahiraj: Nga kombëtarja shqiptare më ka kontaktuar Redi Jupi. Ndërkohë që kombëtarja italiane më ftoi vitin e kaluar në disa grumbullime dhe stërvitje kontrolli, por i refuzova, sepse e ndiej vetën shqiptar jo italian.
Entonjo Elezaj: Edhe mua më ka telefonuar Redi Jupi. Sa i përket kombëtares italiane
më kanë ftuar prillin e vitit të shkuar, por sigurisht nuk vajta.
Domethënë keni zgjedhur përfundimisht Shqipërinë apo ka ndonjë mundësi për t’u bashkuar me kombëtaren Italiane?

Entonjo Elezaj: Jam shqiptar dhe do luaj me Shqipërinë.
Francesco Tahiraj: Unë nuk kam vendosur akoma përfundimisht, sepse jam zhgënjyer. Për herë të parë jam thërritur nga moshat më të mëdha për një miqësore me Kosovën, ku nuk luajta. Më pas u thërrita në tetor 2012 për eliminatoret e Evropianit U17, ku në ndeshjet kryesore ndaj Italisë dhe Hungarisë nuk u aktivizova fare. Të dyja ndeshjet i humbëm dhe mendoj që të dy lojtarët që luajtën në vendin tim, luajtën shumë dobët. Në ndeshjen kundër Lihtenshtajnit ku luajta, fituam 6-0 dhe shënova dhe një gol. Me trajnerin nuk kam biseduar personalisht, por zgjedhjet e tij për mua ishin shumë të dyshimta.
Sa të kënaqur jeni me hapësirën tek Juventusi?

Entonjo Elezaj: Personalisht me kombëtaren jam i kënaqur. Nuk i kam pasur këto probleme, kam luajtur çdo ndeshje madje mendoj që kam luajtur shumë mirë. Më motivon fakti që luaj për vendin tim, dhe jam krenar kur e vesh atë fanelle. Sa për Juventusin, jam në formacion. Kam pasur një ofertë nga Manchester City, menaxherët e së cilit me panë gjatë kualifikimeve për kampionatin europian me Kombëtaren shqiptare U17. Megjithatë, unë do të shkoj vetëm për t’u provuar, kaq.
Francesco Tahiraj: Shumë i kënaqur me hapësirën që më jepet, pavarësisht se ka shumë konkurrencë dhe pjesa më e madhe e lojtarëve vijnë jashtë Italisë (Sllovaki, Greqi, Spanjë, Norvegji). Kjo bën që mos të jetë e lehtë për të gjetur një vend në formacion. Ndërkohë, në Itali luan edhe mesfushori shqiptar Romeo Shahinas qe aktivizohet me ekipin e Romes U-19 (Allievi) ka realizuar 2 gola ne fitoren 5 me 0 përballë Regginës. Një talent që paraqet vazhdimësi për skuadrën romane. Ndërsa nuk mungojnë talentet shqiptarë edhe në skuadrën tjetër romane asaj të Lazios. Me drejtor sportiv Igli Taren nuk kishte si të mungonte prania e shqiptarëve në skuadër. Thoma Strakosha, djali i gardianit të portës sonë për shumë vite, Foto Strakosha, aktivizohet si portier i parë në skuadrën e të rinjve të lacialëve, ai vazhdon traditën e babit duke i qëndruar besnik portës. Edhe shqiptari tjetër Armir Bilali aktivizohet me skuadrën italiane dhe është edhe mbrojtësi i kombëtares sonë U-19.

 

Januzaj habit Fergusonin

Një tjetër talent i cili duket shpresëdhënës për kombëtaren është dhe ai që luan ishullin britanik. Adnan Januzaj aktivizohet në ekipin legjendë Manchester United në ekipin e shpresave. Talenti i djaloshit është vënë re në Angli, saqë ka rënë edhe në sytë e bosit Alex Ferguson. Januzaj të mërkurën mbrëma, luajti tërë ndeshjen për U-21 të United që fitoi 2:0 kundër West Hamit. Ferguson ka theksuar se Januzaj, 18-vjeçar, ka potencial që në të ardhmen të jetë pjesë e ekipit të parë të United. Njëri prej trajnerëve më të mirë në botë, ka thënë se Januzaj dhe Nick Powell duhet të vazhdojnë të përparojnë deri në fund të edicionit. Januzaj në ndeshjen e fundit u aktivizua si mesfushor i avancuar, menjëherë pas sulmuesve.
“Adnani është një lojtar i balancuar për mrekulli. Ka vetëm 18 vjet dhe mundësi që të rritet ende. Ka balancë të mirë, start të furishëm dhe është lojtar shumë i mirë teknik. Nga lojtarët e rinj, Adnani dhe Nick janë në krye. Ata janë shumë të mirë”, – ka thënë Ferguson. Januzaj ka lindur në Belgjikë në një familjeje kosovare. Ai ishte pjesë e akademisë së Anderlechtit, ndërsa më 1 korrik të vitit 2011 kaloi në akademinë e gjigantit britanik. Fillimisht ishte pjesë e ekipit U-18, ndërsa tani është graduar në ekipin rezervë.
“Adnani është ende duke u zhvilluar, por nuk ka dyshim që ai ka talent. Ai ka mendje të mirë futbolli dhe prekje të mirë të topit. Ne po mundohemi ta bëjmë atë më të fortë dhe më të gatshëm dhe ai po ashtu po mëson stilin e lojës së Manchester United”, – ka thënë trajneri i ekipit rezervë të United, Warren Joyce.
“Ai është rritur në mënyrën e duhur dhe mendoj se ka pasur edukim shumë të mirë në Belgjikë. Ai erdhi këtu me teknikë të mirë dhe është i vendosur të bëhet futbollist, kështu që shumë gjëra priten prej tij”, – ka shtuar Joyce.
Ndërkohë, një tjetër lojtar që bën bujë në Angli është edhe Bersant Celina. Bersant Celina ka lindur në 13.8.1996 në Kosovë, luan me ekipin e Manchester City U-18 në pozicionin e trekuartistit, gjithashtu mund të luajë edhe në të majtë dhe në të djathtë të mesfushës. Lojtari i ri ka shprehur dëshirën e tij për të qenë pjesë e kombëtares shqiptare. Shpresojmë që edhe ky talent t’i bashkohet radhës së talenteve që duan të kontribuojnë për futbollin tonë. Ai deklaroi se nuk dëshiron që të luajë për Norvegjinë, pasi ai e ndien veten shqiptar. Ndërsa një tjetër talent që është aktivizuar në Britani, është edhe mesfushori i talentuar shqiptar Alban Bunjaku, i cili ka lënë Anglinë dhe është transferuar në Spanjë. Bunjaku që ishte të gjigantët e Arsenalit deri në fund të sezonit që sapo u mbyll, do të vazhdojë karrierën me klubin e tij të ri Sevilla. “Daily Mail” shkruan se 18-vjeçari kosovar me nënshtetësi angleze është produkt i akademisë së Arsenalit, të cilit klub iu bashkua që nga mosha tetëvjeçare. Por pavarësisht se u tregua premtues, ai është lejuar të largohet drejt klubit spanjoll, për të qenë përforcimi i tretë i ri për andaluzianët këtë verë. Ai ka arritur marrëveshje 3-vjeçare me Sevillan. Bunjaku do të luajë fillimisht me Sevilla B në këtë edicion, ndërsa në rast të paraqitjeve të mira, i është premtuar edhe inkuadrimi në përbërjen bazë. Bunjaku është aktivizuar me Arsenal U-18 dhe ka qenë ndër më të mirët në këtë grupmoshë duke shënuar edhe shumë gola për “topçinjtë”. Ai përshkruhet si një sulmues i avancuar me teknikë të mirë që shënon, por edhe krijon gola. Bunjaku ka luajtur te Arsenal që në moshën 8-vjeçare. Gazeta britanike shkruan se Bunjaku po ashtu ka nxitur një luftë në mes të Anglisë dhe Shqipërisë. Derisa Federata Angleze synon ta angazhojë atë me “tre luanët”, Federata Shqiptare po ashtu e sheh Bunjakun si yllin e ardhshëm të përfaqësueses kuqezi. Pavarësisht se negociatat e zhvilluara në vitin 2011 për të bindur mesfushorin kosovar që të vishet kuqezi kanë dështuar, zyrtarët e institucionit që drejton futbollin në vendin tonë kanë shpresa se mund të bindin lojtarin që të vishet kuqezi. Ata filluan përsëri kontaktet me Bunjakun në fillim të këtij viti. Djaloshi me prindër shqiptarë nga Kosova është rritur në Angli dhe fakti që ai jeton prej vitesh në Britaninë e Madhe, i mundëson aktivizimin me përfaqësuesen e këtij vendi.

Nuk ka si të mungojë edhe prania e talenteve shqiptarë në vendin tonë fqinj, në Greqi. Talenti i momentit për të cilin flitet edhe në vendin helen është Ergys Kaçe. Ai vetëm javën e fundit arriti të shënonte një supergol për skuadrën e Paokut nga jashtë zone. Një trinë e mrekullueshme nga ana e shqiptarit që çoi në avantazh skuadrën që në fund fitoi me rezultatin 3-2. Aftësitë e djaloshit kanë rënë menjëherë në sytë e teknikut italian të kombëtares Gianni De Biasi.

Gianni de Biasi ka thënë në një intervistë të fundit që talenti i Paokut, Ergys Kaçe, ka zgjedhur Shqipërinë. “Kam komunikim të vazhdueshëm me Ergysin, pasi ai është e tashmja dhe e ardhmja e Shqipërisë. Këtë javë pret të marrë pasaportën që do ta bëjë komunitar dhe shpresoj ta kem ndaj Norvegjisë. Ergysi do të luajë për Shqipërinë”, – u shpreh De Biasi. Ai u shpreh edhe për lojtarin që luan me Valadolidin. “Isha në Spanjë që të shikoja nga afër Valdet Ramën dhe më ka thënë se mezi pret të luajë për Shqipërinë, tashmë gjithçka varet nga gjendja e tij fizike”. Një tjetër lojtar është edhe Aldo Bregasi që aktivizohet në Greqi me ekipin e Panionios U-17. Ai luan në pozicion si mbrojtës qendre dhe premton shumë për të ardhmen. Ai është pjesë e kombëtares U-17 të Shqipërisë dhe në ndeshjen e fundit miqësore përballë Kosovës ai ka qenë edhe kapiten i ekipit.

Blendi Memaj i është bashkuar familjes së madhe të gjigantit turk Beshiktash. Futbollisti kosovar i ka kaluar me sukses provat tremuajshe dhe nga kjo javë mund të luajë me ekipin U-18 dhe skuadrën e dytë të bardhezinjve. 18-vjeçari synon të ketë sukses me të rinjtë, për ta fituar një kontratë me ekipin e parë. Mesfushori ofensiv shpreson të jetë e ardhmja e klubit nga Stambolli.
Arlind Kukaj impresionon Murinjon

Ka mbushur 18 vjeç në muajin gusht, por për shumë vite radhazi ka qenë pjesë e skuadrave zinxhir të Realit të Madridit. Ai quhet Liridon Kukaj, ka lindur në Spanjë, por prindërit janë me origjinë nga Kosova. Aktualisht është huazuar te Boca Juniors në Argjentinë, por shpreson që të kthehet sa më shpejt në Madrid. “Kam luajtur me moshat e Spanjës, por jo në ndeshje zyrtare. Dëshira ime e madhe është të luaj për Shqipërinë në Evropian dhe Botëror”, – është shprehur 18-vjeçari Kukaj për “Albaniasoccer”. Ai ka folur në intervistë edhe për takimin e tij me Murinjon. Ai deklaroi: “E kam takuar në një ndeshje, kur shënova 3 gola. Ai më pyeti se nga e kam prejardhjen. I thashë nga Kosova. Më tha: “Më vjen keq për atë që ndodhi në Kosovë”. Më vuri një nofkë: “Ronaldo i ardhshëm shqiptar”. Gjithashtu talenti kosovar ka edhe qëllime për të ardhmen. “Qëllimi im është të luaj në kombëtaren shqiptare dhe të bëjmë një ekip të forte, me të cilin mund marrim pjesë në Evropian dhe Botëror. Sigurisht që dëshiroj të bëhem ndër futbollistët më të mirë në botë. Pres të futem në ekipin e parë, sapo të kthehem nga Argjentina. Ndërkohë, kur është pyetur për kombëtaren, ai ka shprehur kënaqësinë tij për t’u aktivizuar: “Unë jam aktivizuar me moshat e Spanjës, por jo në ndeshje zyrtare. Kam dëshirë që të luaj për Shqipërinë, por nuk mund të pres shumë kohë për një ftesë nga ana e FSHF-së”. Talenti tjetër është një kosovar, i cili aktivizohet në grupmoshat e Barcelonës, por që shpreh potencial për të ardhmen, Labinot Kabashi 10 vjeç.

 

 

Një pjesë e futbollistëve shqiptarë që nuk kanë veshur fanellën kuqezi
GREQI
Panagiotis Kone (Gjergji Kone) 26 korrik 1987 luan te Bologna
Andreas Tatos(Andrea Tato) 11 maj 1989 luan te Olympiacos.
Elini Dimoutsos(Elin Dhimuço) 18 qershor 1989 luan te Atromitos
Stefanos Kapino(Stefan Kapino) 18 maj 1994 portier i Panathinaikos
Sotiris Ninis (Sotir Nini) 3 prill 1990 luan për Parmën
1. Arlind Kukaj (Real Madrid i huazuar te Boca Juniors) kërkohet nga Atletiko Madrid
2. Adnan Jonuzaj (Manchester United)
3. Alban Bunjaku (Arsenal)
4. Ylli Sallahi (Bayern Munchen)
5. Frederik Veseli (Manchester United)
6. Labinot Kabashi (Barcelona)
7. Bersant Celina (Manchester City)
8. Sinan Bytyqi (Manchester City)
9. Shkodran Mustafi ( Everton)
10. Shaqir Hoti( New York Red Bulls)
11. Ismail Zeli (Volverhampton)