Prej 16 shekujsh, një mur rrethues fortifikonte një rrip toke midis detit dhe kënetës në Porto-Romano, rreth 7 kilometra në veri të Durrësit, duke e mbrojtur nga zbarkimet e papritura të anijeve armike.
Monumenti i Kulturës njihet si “Muret e Portës” dhe mendohet të jetë ndërtuar në shekullin e V të Erës Sonë, që përkon me periudhën e sundimit të Perandorit Anastas.
Nga fortifikimi i dikurshëm i periudhës së Antikitetit të Vonë kishin mbijetuar rreth 60 metra linear mur, si edhe një kullë katërkëndëshe – pjesë e trashëgimisë së mbrojtur të Shqipërisë.
Por në fillim të prillit të vitit 2022, nga monumenti i kategorisë së parë ishin rrafshuar rreth 25 metra mur, mbi të cilat ngrihej porta hyrëse, dikur e kuruar me qemer.
Dëmtimi i murit antik erdhi nga punimet e kryera nga kompania koncesionare Porti MBM, që po ndërton një port hidrokarburesh dhe mallrash në Porto-Romano.
Kompania koncesionare Porti MBM – Multi Buoy Mooring është një bashkim operatorësh i udhëhequr nga konglomerati Kastrati Group, që zotëron paketën kontrolluese të aksioneve.
Shkatërrimi i monumentit të kulturës me të cilin media “Amfora” ka nje artikull te zgjeruar ishte i paralajmëruar dhe se një sërë institucionesh përgjegjëse bënë një sy qorr ndaj rrezikut që i kanosej atij.
Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, IKMT, inspektoratit lokal i Bashkisë së Durrësit si dhe Policia e Shtetit nuk ndëhynë, ndonëse u kërkohej që prej korrikut të vitit 2020 që të ndalonin punimet pranë monumentit “Muret e Portës”.
Ndërkaq gazeta “STANDARD” ka siguruar relacionin e plote per dëmtimet e rënda në Kalanë e Portës i përgatitur nga akademiku Apollon Baçe.
Destinacioni dhe gjendja para dëmtimit
Muri i Portës ndodhet 7 km në veri të Durrësit, në vendin e quajtur «Porto Romano». Muri e mbronte qytetin nga veriu, duke shënjuar cakun e asaj që quhet Hora e Durresit, territori i tij agrrikulturor. Muri ndërpriste lidhjen tokësore midis detit e lagunës, duke e kthyer gadishullin e Durrësit në thuaj një ishull. Zona ka një intensitet të lartë jete, ku janë gjetur banesa dhe tempuj arkaike, të shekullit 5 p.e.s. Krahas vlerave lokale turistike, dhënies së një panorame të qartë topografike të qytetit, muri kishte vlera edhe për historinë e arkitekturës ushtarake, si një nga rastet e pakët të mureve barrierë (në antikitetin e vonë rreth 5 të tillë) për mbrojtjen pjesore të qyteteve. Në këtë kuptim rëndësia e tij është tejnacionale. Si i tillë ky element meritonte kujdesin maksimal për ta kthyer në një aset të portit të ri
I pari që shkruan për të në shek 19 është Leon Heusey që treon për një mur 200 m të gjatë. Më tej, gjatë luftës së I Botërore arkeologët Prashniker dhe Shoberi. Sipas tyre muri ishte i pajisur me kulla kënddrejtë të vendosura në largësi të barabarta, ndërsa prej këndit perëndimor të tij një mur tjetër ndiqte konturin e kodrës nga ana e detit deri në lartësinë 80 m2
Përshkrimi i fortifikimit
Në artikullin timin dhe Gj. Karaiskajit për fortifikimet rreh Durresit kemi konstatuar se në ngushticën që ndan detin prej kënetës ruhet një trakt 140 m i gjatë dhe një kullë katërkëndëshe. Harku i portës, që përshkon murin, është rrëzuar, ndërsa muri që i ngjitej kodrës deri në lartësinë 80 ruhen në gjurmë të vogla. Muri është ndërtuar me teknikën «Opus mixtum», me kombinim brezash guri dhe tulle Muri 1,75 m. i gjerë që përshkohet tejpërtej nga breza tullash prej katër rreshtash.
Muratura e gurtë midis brezave në faqet e mureve përbëhet nga gurë kavoje me përmasa mesatare, të vendosur në mënyrë të çrregullt, ndërsa brendësia e murit nga gurë të thyer më të vegjël, të lidhur me llaç të bollshëm. Sondazhi nxori në një thellësi 2,20 m themelin, i cili ka të njëjtën trashësi me murin. Sondazhi vërtetoi se fortifikimi i përket vetëm një faze ndërtimi.
E vetmja kullë me lartësi të ruajtur prej 4 m ka formë katërkëndëshe (5,95 x 6,15 m) Hyrja e kështjellës, «Porta», prej së cilës ka marrë emrin krejt fortifikimi, ndodhej në mes të faqes veriore perëndim të kullës.Hyrja e fortifikimit. “Porta” 3,80 m e gjerë mbuluar me një qemer me tri harqe koncentrike. Deri vonë aty kalonte rruga që lidhte Durrësin me zonat bregdetare në veri të tij, Muri perëndimor, i cili i ngjitej kodrës deri në lartësinë 80, ku gjendej një akropol trekëndëshe është zhdukur krejtësisht. Veçoritë teknike e dëshmojnë atë një fortifikim të shek. 4 e.s. për mbrojtjen e qytetit nga invazionet e fiseve gjermanike. Ky datim mbështetet edhe nga fragmentet e qeramikës të gjetur gjatë sondazhit.
Në vitin 2018 Ministria e Kulturës kreu punime evidentimi, në inaugurimin e të cilave morri pjesë ministrja e Kulturës Furxhiu, gazeta Durrësi do hapej me foton e fortifikimit dhe titullin me shkronja kapitale “Ja pse ka rëndësi muri i kalasë në Porto Romano” dhe foton e ministres në brendi.
Mbrojtja ligjore dhe dëmtimet
Falë rëndësisë së veçantë, Muret e Portes (Porto Romano) janë shpallur monument i kategorisë I që në listën e parë të monumenteve, atë të vitit 1948 (VKM nr 586/4874, 17.03.1948). Sipas legjislacionit në fuqi, në monumentet e kësaj kategorie ndalohet çdo lloj ndërhyrje (Ligji Nr.-27-2018-Për-trashëgiminë-kulturore-dhe-muzetë-dhe-aktet-nenligjore-ne-zbatim-te-tij).
Pas vrojtimit në vend, bazuar në dokumentacionin e IMK Gani Strazimiri, fotot satelitore dhe veçanërisht në fotot e ASIG (Autoriteti Shtetëror i Informacionit Gjeohapësinor), vërejmë
1. Se nëpërmjet punimeve me makineri të rënda (Skreper, ekskavator, grejder, buldozer,kamione tonazhi të rende) u shkatërruan nën nivelin e rrafshit të tokës 78 metrat perëndimore të murit mbrojtës, nga kulla kuadratike e deri në det. Paksa më tepër se gjysma e gjatësisë së tyre (140 m).
Është dëmtuar ndjeshëm gjysma lindore, duke ja zhdukur gjurmët elementit kryesor të fortfifikimit, Portës së Hyrjes dhe harqeve të saj
3. Janë zhdukur plotësisht gjurmët e akropolit dhe murit që kthehej drejt tij
4. Është faqja jugore paraqitet e mbuluar mbi nivelin e themelit
5. Është shkatërruar shtresa kulturale
Tërë këto veprime janë në kundërshtim të hapur penal me ligjin.
Ndërhyrjet e paligjshme nga firma MBM e kompanisë Kastrati Group të Shefqet Kastratit, nisën në nëntor/dhjetor të vitit 2021. Nisur nga biseda verbale, Drejtori u DRTK Tiranë, e cila ka në ngarkim monumentin, nisur nga biseda gojore me të, ka vënë në dijeni për këtë Ministrisë e Kulturës, Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit Bashkia Durrës, si edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit që të ndërhynin për të ndaluar punimet që po kryheshin në Zonën e Mbrojtur dhe monumentin e kategorisë parë “Muret e Portës”. Sipas tij Prokuroria e Durrësit shpjegoi se ka regjistruar procedimin penal me numër 1755/2020 dhe po vijon hetimin për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”
Tiranë 9 tetor 2023
Akademik, Prof. Dr Apollon Baçe
@GAZETASTANDARD