Berisha: 20 shkurti ishte prova e përgjithshme, qytetarët presin sulmin përfundimtar mbi regjimin

Gjatë fjalës në tubimin qytetar, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij, deklaroi se 20 shkurti ishte prova e përgjithshme. Sipas tij, qytetarët presin sulmin përfundimtar mbi regjimin.

“Miqtë e mi, çdo ditë regjimi njofton lajme, të cilat faktojnë armiqësinë e tij ndaj qytetarëve.

Çdo ditë, Edi Rama, ky pushtetar prej 25 vitesh në pushtet, që ka përqendruar gjithçka në duart e tij, vendos të dëshpërojë, të poshtërojë, të injorojë, të varfërojë, të vjedhë shqiptarët gjithnjë e më shumë.

Çdo ditë, oratorët nga kjo platformë denoncojnë njëri pas tjetrit këto akte, të cilat në një vend tjetër do kishin rrëzuar çdo muaj një qeveri.

E them këtë për të theksuar se urgjente, sa jetike, sa vendimtare është sot mosbindja jonë civile ndaj këtij regjimi, i cili nuk ndalet me asgjë përveçse me forcën e mosbindjes civile.

Edi Rama nga zyrat e tij përcakton tani çdo ditë tenderat që fiton klientela e tij dhe që ai merr përqindjen.

Firmos kullat, në të cilat ai siç thonë rëndom, merr 30-përqindëshin.

Shpërndan bonot e investitorëve strategjike, ku përsëri vetë është në përqindjet më të majme.

Firmos plaçkitjen e 1.4 milionë metër katror tokë publike në Durrës me një vlerë 1.8 miliardë euro.

Çdo ditë Shqipëria bëhet një vend i ndaluar për shqiptarët. Pasuritë e saj, pasuri të ndaluara për shqiptarët, pasuri të mallkuara për shqiptarët, pronë e hajdutëve qeveritarë.

Çdo ditë që kalon është vonesë e madhe në betejën tonë pa kthim për mosbindje civile.

20 shkurti ishte prova e përgjithshme, qytetarët presin, sulmin, sulmin, sulmin përfundimtar mbi regjimin që sundon në aleancë me krimin, me vjedhjen, drogën.

Vetëm mosbindja civile e pandalshme, e pandërprerë, është zotimi ynë, është betimi ynë, është rruga e vetme për të triumfuar kauzën tonë të drejtë”, tha Berisha.

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *