Vendosi tri herë tritol në një mobileri, arrestohet 33-vjeçari

Arrestohet nga policia një 33 vjecar i dyshuar si autor i tre shpërthimeve me eksploziv ndaj një biznesi.

I arrestuari është shtetasi Alban Qira, 33-vjeç, ky i fundit akuzohet si autor i 3 shpërthime me lëndë eksplozive, të kryera gjatë 2 viteve të fundit, në biznesin (mobileri) të shtetasit Artan Alla, 48 vjeç, në fshatin Rrashbull.

Ne raportimin e saj policia thotë gjithashtu se ka sekuestruar 2 automjete dhe 2 celularë të 33-vjeçarit, si dhe maska dhe veshje të dyshuara të përdorura gjatë krimeve.

Njoftimi nga Policia:

Durrës/Zbardhen 3 rastet e vendosjes së lëndës eksplozive në një mobileri.

Identifikohet, lokalizohet dhe vihet në pranga 33-vjeçari nga Kruja, i cili 4 ditë më parë, dyshohet se vuri lëndë eksplozive në ambientet e jashtme të mobilierisë së një 48-vjeçari, në fshatin Rrashbull.

Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se ky shtetas, i dënuar më parë për krime në fushën e narkotikëve, është autor dhe i 2 shpërthimeve të tjera në këtë biznes, të kryera më datat 18.11.2023 dhe 07.03.2024.

Nga shpërthimet ka patur vetëm dëme të pjesshme materiale.

Sekuestrohen 2 automjete dhe 2 celularë të 33-vjeçarit, si dhe maska dhe veshje të dyshuara të përdorura gjatë krimeve.

Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, për të zbardhur 3 shpërthime të lëndëve eksplozive, të kryera gjatë 2 viteve të fundit, në biznesin (mobilieri) e shtetasit A. A., 48 vjeç, në fshatin Rrashbull, strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Durrës mundësuan identifikimin, lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar të këtyre rasteve, shtetasit Alban Qira, 33 vjeç, banues në fshatin Borizanë.

Nga këto veprime dyshohet se më datat 18.11.2023, 07.03.2024 dhe 03.04.2024, shtetasi Alban Qira ka vënë lëndë eksplozive (mina artizanale), në ambientet e jashtme të mobilierisë së shtetasit A. A..

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Share it :