Duhet të shërbente për qytetarët që të kryenin denoncimet e tyre në polici, por tashmë janë qytetarët që denoncojnë se “Komisariati Dixhital” nuk funksionon më.
I vënë në punë prej vitit 2015, “Komisariati Dixhital” ishte një risi që u jepte mundësinë përdoruesve të denonconin në kohë reale, kudo ku ata ishin, për çdo shkelje ligjore.
Aplikacioni ishte një ndër risitë e para që qeveria e “Rilindjes” e propagandoi se epoka digjitale e Shqipërisë, dhe do të pasohej nga shumë shërbime të tjera që kaluan “online”.
Por ndonëse këto shërbime “online” duket se herë pas here kanë problematikat e tyre, kur bëhet fjalë për Komisariatin Dixhital, aplikacioni nuk funksionon fare.
Dhjetra qytetarë kanë raportuar se e kanë të pamundur të ngarkojnë foto apo të dërgojnë mesazhe përmes aplikacionit ndërsa aty shfaqet një mesazh që mesa duket sugjeron se tashmë aplikacioni nuk ka as “server” dhe as “host”, çka do të thotë se është braktisur plotësisht.