Viti 2023 u karakterizua nga një acarim i skajshëm i tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, që kulmoi me sulmin e një grupi të armatosur serb në fshatin Banjskë. Trysnia ndërkombëtare u shtua ndjeshëm ndaj të dyja vendeve drejt arritjes së normalizimit të marrëdhënieve pas gati një çerek shekulli të përfundimit të luftimeve mes tyre. Por ndërsa janë vënë re përparime, si marrëveshja e Ohrit, që parashikon një plan të qartë veprimi dhe zbatimi, apo edhe zgjidhja e çështjes së targave të makinave në prag të fundvitit, normalizimi duket ende i largët për të dyja palët. Në një intervistë për Zërin e Amerikës studiuesi Veton Surroi thotë se pa një marrëveshje të përligjur mbi normalizimin Kosovë-Serbi, nuk mund të ecet përpara.
Ai shton se në ndryshim nga qeveria e Kosovës, që e ka pranuar marrëveshjen bazike, mbi të cilën do të ndërtohet më tutje procesi negociator, qeveria e Serbisë, ka thënë se pranon disa prej pikave të saj, e jo të tjera.
Por marrëveshjet thotë zoti Surroi, nuk mund të jenë ‘menu restoranti’, në të cilën ti zgjedh njërën pjatë, e tjetrën jo. Duke i referuar çështjes së Asociacionit, ku është përqëndruar edhe trysnia kryesore ndërkombëtare ndaj Prishtinës, zoti Surroi thotë se Kosova nuk mund të trajtojë çështje të veçanta të marrëveshjes nëse Serbia nuk e pranon marrëveshjen si tërësi.
Intervista e plote