Burgu, si ‘ushtria’ e çapkënëve të Rilindjes

Nga Erion Dasho
Kur djemtë çapkënë të para viteve ’90 e mbushnin kupën me ato që ishin zullumet e kohës, zgjidhja e prindërve dhe e shoqërisë ishte ushtria. Dy vjet nën tutelën e disiplinës ushtarake dhe zakonet e vjetra harroheshin.

Për vetë “viktimat” ushtria ishte një detyrim i pashmangshëm “për t’u hequr qafe” dhe ndonëse përpiqeshin ta shtynin sa më gjatë që të ishte e mundur, herët a vonë përfundonin me kokën të qethur dhe nën urdhërat e kapterrëve që nuk falnin.
Ata që e kishin mirë me udhëheqjen e kohës, mund të shpresonin që ushtrinë ta kryenin afër shtëpisë, ose në ndonjë sektor të privilegjuar, ku preferohej kuzhina, prapavija, etj.

Në të gjithë rastet, “çapkënllëqet” e para ushtrisë harroheshin dhe djemkat riktheheshin në shoqëri “të pjekur” dhe me një jetë të re përpara.

Për rilindësit e sotëm, nuk ka paralelizëm më domethënës se ai me ushtrinë e dikurshme, vetëm se “çapkënllëqet” e tyre janë të një niveli tjetër.

Borati i quan ata “ngrënës dardhash”, por në fakt “shfaqja e huaj” më e spikatur e tyre është dora që ngjit në xhepin e qytetarit dhe buxhetin e shtetit.

Qytetarët e shohin përditë se “dardhat” rëndom kapin vlerën e qindra mijëra apo miliona euro dhe, jo rrallë, edhe dhjetëra apo qindra milionë. Për shkak të dëmeve në dardha, është krijuar tashmë një radhë e gjatë çapkënësh të cilëve u ka ardhur radha e riedukimit.

***
Në mungesë të ushtrisë, e vetmja mundësi “riedukimi” për rilindësit është burgu; sfida e tyre është ta shndërrojnë burgun në një ushtri të kohës sonë.

Në radhë të parë, çfarëdo zullumi të kenë bërë, “ushtria” nuk duhet të zgjatë më shumë se dy vjet. Nuk kanë rëndësi miliona eurot e vjedhura apo tonelatat e kontrabanduara të drogës.

Së dyti, burgu duhet të lajë zullumet e çapkënëve dhe t’ua rikthejë ata rilindësve të pastër, të pjekur dhe të gatshëm për të vazhduar luftën për çështjen e partisë.

Së treti, burgu i rilindësve nuk duhet të ndryshojë nga burgu i kapobandave (në fund të fundit, a ka kapobanda më të mëdhenj se rilindësit?!) Ai duhet t’u ngjajë hoteleve me pesë yje, ku rilindësit janë mësuar të kalojnë pushimet, herë me paret e vjedhura nga ata vetë dhe herë me paradhëniet bujare të ortakëve në hajdutëri.

Së fundi, duhet respektuar radha. Borati e ka të qartë se gjithë tarafi i vet është gati për “ushtri”, por ai u ka caktuar atyre një radhë, së bashku me SPAK-un dhe GJKKO-në, dhe radha duhet respektuar.

Nuk ka rëndësi se Beqja i Boratit përflitej prej vitesh si i lidhur me interesa firmash farmaceutike dhe rrjete farmacish, ai hyn në radhë për “ushtri” vetëm kur Borati i shkel syrin SPAK-ut dhe përgjimet skandaloze “zbulohen” si me magji.

***

Rilindësit e parë i kanë mbyllur tashmë hesapet me “drejtësinë” e re. Ata janë sot qelibar dhe vazhdojnë të gëzojnë milionat e vjedhura.

Ndonjë si puna e Tigrit dhe e ortakëve të vet, çau ferrën, pasi e kuptoi se “ushtria” për ata do të ishte e gjatë. Të tjerët presin me durim. Qelitë me pesë yje po ashtu janë në pritje të klientëve të rinj.

Ajo që mbetet për t’u parë është se ç’do të ndodhë me kryeçapkënin e rilindjes, Boratin dora vetë! Kush do të kujdeset për ushtrinë e Boratit kur edhe atij t’i vijë radha?

A do t’ja hedhë ai me dy vjet “ushtri”, do të ndjekë Tigrin në arrati, apo do të bëhet shembulli i larjes së mëkateve?!

Të presim…

Historia ka treguar se të ngjashmët e Boratit shpesh e kanë rrugën pa kthim…

Share it :