Edi Rama si kreu i qeverisë që duhet të mbrojë bizneset, sot ka larë duar me krizën e industrisë fason.
Në një takim ku bëri publike ‘Shtëpinë e Biznesit’, Rama tha se, është faji i industrisë fason që janë në këtë krizë dhe nuk është faji i rënies së euros.
Një temë e dhimbshme. Situata e industrisë fasone në Shqipëri. Kjo ditë do vinte dhe nuk lidhet thjesht me euron. Është gabim. Është qasje komplet e gabuar ta shohësh këtë si një ditë që e solli forcimi i lekut dhe situata e re që kjo ka krijuar me euron. Jo!
Kjo ditë do të vinte sepse koha e shfrytëzimit të krahut të lirë të punës si avantazh konkurrues në treg ka vdekur prej kohësh. E kush e ka kuptuar prej kohësh që ajo kohë ka vdekur, në atë industri ka marrë masat për t’u adaptuar. Kush nuk e ka kuptuar apo kush nuk i ka marrë masat për t’u adaptuar, sot e ka të pamundur të mbijetojë.
Në këto kushte, t’i kërkosh qeverisë të të japë serume, është gabim. Pse? Sepse nuk ka serum që të shpëton dhe nga ana tjetër, qeveria nuk mund të përdorë taksat për të zgjatur agoninë e një organizmi që nuk e mban dot, nuk e kthen dot më në jetë. Është një vdekje klinike e sigurt, por nuk është pa zgjidhje as për sipërmarrësit, as për personat. Zgjidhja është të adaptohesh! Të ndryshosh lojën! Të qasesh me qartësi dhe me forca të reja në një treg që është tjetër. Mjafton të shikosh ata që e kanë bërë këtë gjë, se fatmirësisht sot jemi në kushtet kur mund t’i lidhim fjalët me shembujt, pra nuk është diçka që e kemi ne të diskutuar teorikisht. Dhe nuk është as diçka që ne e kemi parë në vende të tjera dhe po themi hajdeni bëjeni dhe ju këtu. Jo! Është diçka që këtu ka aktorë të kësaj industrie që e kanë bërë dhe që janë sot konkurrues’.
Sa u përket grave në Devoll që kanë humbur punën për shkak të mbylljes së biznesit fason, Rama foli për një mundësi të re të tyre.