Arkeologu Apollon Baçe në studion e lajmeve në MCN TV ka komentuar lidhur me shpalljen nga Europa Nostra si një nga vendet më të rrezikuara në Europë monumentin “Muret e Portës” në Durrës.
Ai tha se nga ky monument pothuajse nuk ka mbetur më asgjë pasi tashmë nga 180 metra që ai mur ishte kanë mbetur vetëm 40-50 metra, ndërsa shtoi se kishte rëndësi të veçantë për historinë e qytetit.
Sipas tij për shkatërrimin e tij nuk janë zbatuar ligjet për mbrojtjen e monumenteve historike dhe se këtu tek ne rreziku vjen nga njeriu dhe jo erozioni.
“Nuk ka më monument nga 180 metra që ishte muri kanë mbetur as 60 metra pasi i ka zhdukur firma. Nuk ka më çfarë të rrezikohet muri që ishte ka mbetur një pjesë e vogël 40-50 pjesa tjetër është zhdukur komplet. Kanë kaluar 2 vite dhe monumenti është zhdukur komplet, është ngrënë 120 metra mur nga firma kur në fakt mund të ishte një aset shumë i bukur për portin. Që në vitin 2021 filluan punimet në Porto Romano të gjitha demarset e mundshme në polici, kontrolli territorit, në gjykatë e ministri nuk çau kokën absolutisht asnjëri. Ky është një nga rastet më të shëmtuara që ekzistojnë. Është një nga monumentet që në 1948 dëften sa ka qenë troka bujqësore, është një nga 6 muret barrierë në të gjithë botën pra ne kemi zhdukur diçka që i takonte të gjithë njerëzimit dhe jo vetëm neve. Është firma Kastrati ose ble ose shantazhon”, tha arkeologu.
I pyetur se çfarë duhet të ndryshojë në lidhje me mbrojtjen e monumenteve të trashëgimisë, Baçe tha se kjo është urrejtja që ka njeriu kur nuk respekton kulturën.
“Kompania private duhet të dalë në gjyq dhe të përgjigjet pse e ka bërë këtë gjë. Çfarë e dëmtonte atë, ky mur i arkitektit brenda në skelë, ndërsa ai e merr dhe e zhduk dhe nuk i bëjnë asgjë. Nëse ligji është ligj, atëherë është ligj dhe zbatohet ligji. Qyteti i Durrësit është në jug dhe toka bujqësore e tij ishte deri në veri te pjesa e kënetës dhe muri ndalonte të hynin brenda dyndjet sllave. Kjo dëften cila është pjesa e qytetit. Kur shikon këtë mur dhe ministrinë që e hap me një fushatë në gazeta dhe pas pak kohësh zhduket, lind pyetja ku është kjo zonja ministre tani pse zhduket. Kur ti e shpall monument të kategorisë së parë ajo mbrohet me ligj dhe po e preke dënohesh, por këtu te ne dënohesh për vjedhjen e një arke me domate dhe mund të dëmtosh një kishë të shek. IV dhe nuk dënohesh. Rreziku tek ne vjen nga njeriu dhe jo erozioni”, shpjegoi Apollon Baçe.