Edhe mbrëmjen e sotme qindra qytetarë dhe eksponentë të PD-së janë mbledhur për të protestuar para banesës së liderit të opozitës Sali Berisha.
Deputeti i Partisë Demokratike Luan Baçi, ishte i pari që mori fjalën e tij duke u shprehur se ndalimi i doktor Berishës është i qëllimtë nga ana e Ramës dhe se të gjithë së bashku do të protestojnë kundër këtij persekutimi politik.
‘E di që shumë kush prej jush kanë qenë në këtë foltore dhe kanë thënë që jemi këtu në mbështetje të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Ne jemi këtu në mbështetje të kryetarit të Partisë Demokratike duke protestuar kundër ndalimit, persekutimit politik dhe të qëllimtë që është bërë ndaj tij. Ne jemi këtu dhe do të vazhdojmë të protestojmë sepse ne nuk po protestojmë vetëm për doktorin, por për të gjithë fermerët që bllokuan rrugën e Levanit, për fermerët e Gjirokastrës, për të gjithë fermërët e Shqipërisë që protestojnë për të drejtat e tyre.
Ata janë bllokuar dhe janë drejt falimentit për koston e lartë të prodhimit pasi konkurrohen nga vendet fqinjë që i subvencion fermerët e tyre, ndërsa qeveria jonë jo.
Qeveria jonë i ka paratë për charter-at e Ramës. Ne do të vazhdojmë të protesojmë kundër vendimeve që kanë marrë për Berishën, do të protesojmë për studentët për jetën e tyre të vështirë, për ata studentë të mjekësisë që mbushën rrugën dhe detyruan Ramën të pezullonte ligjin.
Këta studentë e arritën qëllimin e tyre me mbështetjen e deputetëve të Partisë Demokratike, me mbështetjen e doktor Berishës që ankimuan në Gjykatën Kushtetuese. Ne jemi këtu për të protestuar edhe për profesionistët e lirë, pasi kjo qeveri po i takson deri në 23% dhe së shpejti do t’i falimentojë’.