Fitoi zgjedhjet pa opozitën me mbi 92% të votave, Rama uron presidentin e Azerbajxhanit

Banorët e kryeqytetit, Baku dolën në rrugë për të festuar rizgjedhjen e presidentit të Azerbajxhanit Ilham Aliyev. Ata lëviznin me makina në rrugët e kryeqytetit duke u rënë borive dhe duke valëvitur flamujt e Azerbajxhanit. Sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve presidenciale të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pasi ishin numëruar pak më shumë se gjysma e votave, Aliyev ishte shumë përpara me 92.1% të votave të hedhura.

Një sondazh i kryer me 63 mijë njerëz sugjeronte se ai do të merrte 93.9% të votave. Dy partitë kryesore të opozitës i bojkotuan zgjedhjet në shtetin prodhues të naftës dhe gazit dhe që do të presë bisedimet e klimës COP29 të Kombeve të Bashkuara në nëntor. Burimet energjetike të vendit janë në qendër të planeve të Evropës për të reduktuar varësinë e saj nga gazi rus pas luftës në Ukrainë. Aliyev, pasoi babain e tij Heydar si president në vitin 2003.

Ai merr zakonisht mbi 85% të votave në zgjedhje që grupet e të drejtave thonë se nuk janë as të lira dhe as të drejta. Zyrtarët e Azerbajxhanit thonë se zgjedhjet janë të drejta dhe transparente dhe se popullariteti i Aliyev është rritur që nga fitorja në Karabak. Ai është një aleat i ngushtë i Recep Tayip Erdogan, por mban marrëdhënie pune me Rusinë.

Në janar, Aliyev, 62 vjeç, u tha mediave lokale se ai kishte thirrur zgjedhjet e parakohshme për të shënuar “fillimin e një epoke të re” në Azerbajxhan, për të cilën ai tha se kishte rivendosur sovranitetin e tij duke rimarrë Karabakun. Ai u përball me 6 “rivalë”, por asnjëri prej tyre nuk ishte kritik ndaj sundimit të tij.

Për fitoren e Aliyev ka reaguar edhe kryeministri shqiptar Edi Rama që ka vizituar disa herë këtë vend. Në një koment në X, Rama uroi fitoren për atë që e quan mikun e tij. “Urime të përzemërta mikut tim të dashur, për rikonfirmimin e tij si lider i padiskutueshëm i Azerbajxhanit mik, një vend i mrekullueshëm me njerëz të zellshëm, punëtorë, të cilët, nën udhëheqjen e tij, po bëjnë hapa të mëdhenj përpara! Mezi pres të ndihmoj në hapjen e Ambasadës së re Shqiptare në Baku shumë shpejt” – shkroi Rama në X. ©LAPSI.al

 

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *