Nga ajo që quhet “Rrugica e Shpresës”, Sali Berisha u ka bërë thirrje pasditen e së shtunës fermerëve të vendit që të “zbresin” në Tiranë më 20 shkurt me të gjitha mjetet që kanë për të kërkuar të drejtat e tyre.
Duke marrë spunto edhe nga kryengritja e fermerëve të Europës, kreu i Rithemelimit ka ftuar fermerët e Devollit, Korçës dhe Myzeqesë që t’i bashkohen protestës së demokratëve.
“Të ftoj qytetarët, demokrate dhe demokratë, o sot o kurrë, të mbështesin fermerët tanë. Europa, BE, nga Mesdheu në detrat e veriut, është përfshirë nga protestat më të fuqishme të fermerëve europianë. Fermerët e Greqisë e gdhinë mbrëmë në rrugët e qyteteve të vendit fqinj për kërkesat e drejta të tyre,”deklaroi Berisha nga dritarja e banesës së tij ku aktualisht ndodhet në arrest shtëpie.
Berisha theksoi se Shqipëria në Europë është vendi me peshën më të madhe në ekonomi nga bujqësia. Dhe bujqësia e saj, shtoi ai, po shkatërrohet nga viti në vit në mënyrë të pandalshme.
Lideri historik i demokratëve u zotua se PD me programin e saj do të ndalojë “të keqen që ka kapur fermerët dhe do të shënojë kthesën e vërtetë.”