Berisha: Kush i vodhi 2 miliardë euro dhe nga kush u mbrojtën. Bechtel të heqë dorë nga Skavica

Ish kryeministri Sali Berisha ka sulmuar sërish Altin Dumanin, duke i thënë se ka marrë në mbrojtje Amant Josifin pasi në bashkëpunim me Edi Ramën u  vodhën 2 miliardë euro qytetarëve europianë, dhe i thashë që të arratisej.

Fjala e Berishës:

Miqtë e mi, lufta kundër korrupsionit është jetikë, shpëtimtare për qytetarët shqiptarë.
Dhe ne e kemi bërë atë. Ju jeni dëshmitarë, pa hezitim, me vendosmëri absolute, me paanësi absolute, kemi denoncuar një nga një, aferat e tmerrshme, vjedhjet e shekullit.

Kemi denoncuar djegësat, Portin e Durrësit, PPP-të, checkupin, sterilizimin, analizat, rrugët, dhjetëra e dhjetëra të tjera.
Por kemi denoncuar edhe korrupsionin shqiptaro-ndërkombëtar si një nga format më të rrezikshme, më të rrezikshme për korrupsionin.

Do ta denoncojmë gjer në fund, sepse korrupsioni nuk është vetëm shqiptar, korrupsioni është armik i demokracive kudo në botë.
Çfarë do të thotë kjo?
Amant Josifi, ortaku i Olsi Ramës, ju vjedh qytetarëve gjermanë, qytetarëve spanjollë, italianë, belgë, mbi 2 miliardë euro me callcenterat në ortakëri me Olsi Ramën.

Çfarë ndodh me këtë personazh?
Mbrojtje absolute nga Edi Rama dhe Altin Dumani.
A ka krim më të shëmtuar se ky?

Kur u kërkua arrestimi i tij, Altin Dumani me urdhër të Edi Ramës, deklaroi se krimi ka ndodhur tjetërkund.
Ky është një kriminel gjakftohtë. Kriminel!

Krimi kishte ndodhur në callcenterat e Tiranës, të patronuar nga Olsi Rama, të cilët mashtronin pensionistët, qytetarët gjermanë, spanjollë, blini Bitcoine se do ua marrim me 20 përqind më shumë dhe ua vidhnin monedhën dhe i çonin në Dubai.
Ne e denoncuam dhe do e denoncojmë dhe i themi Dumanit se do përgjigjesh gjer në një për këtë amnisti kriminale që mban për Edi Ramën.

Miqtë e mi, a ka krim më të shëmtuar se kjo?
Erdhën prokurorët gjermanë, çfarë bëri Dumani me shokë? I mori dhe i dërgoi në callcentera, ku punonjësit nuk dinin asnjë fjalë gjermanisht. I morën ata dhe i rrasën në burg si derr në thes dhe janë akoma atje, pa kryer asnjë operacion. Sepse nuk ishin callcenterat e Amant Josifit dhe Olsit.

Pra, a mund të heshtim ne? Kurrën e kurrës, të gjithë në shesh në mbrojtje të të vërtetës.

Gjatë fjalës në tubimin qytetarë, ish kryeministri Sali Berisha gjithashtu i ka bërë thirrje kompanisë amerikane Bechtel që të tërhiqet nga HEC Skavica, që të mos mbetet si monument botëror i korrupsionit.

Fjala e Berishës:

Miqtë e mi, ne denoncuam Skavicën, një nga aferat më të mëdha korruptive.
Dhe unë i them prapë kompanisë Bechtel, çdo tender i fituar pa garë është tender korruptiv, ndaj hiq dorë.

Ti je gjigant në botë, me Sali Berishën ke punuar, ke ndërtuar një kryevepër, por me një garë të pastër ndërkombëtare me 7 kompani të mëdha të Europës.

Hiq dorë nga Skavica, të mos mbetet monument botëror i korrupsionit.

E morët vesh, Butrintin? E morët vesh se si kryekorruptori Edi Rama fsheh raportin e UNESCO-s që denoncon aferën e shkatërrimit të Parkut të Butrintit

Miq, u ndala pak gjatë, por nuk mund të mos ndalesha sepse armik më të madh liria, dinjiteti, mirëqenia, e ardhmja, shpresa e qytetarëve nuk ka sesa korrupsionin e kësaj qeverie.

Ndaj dhe të marrim fatin në dorë, 20 shkurti është dita e kauzave tona.

Është dita e dinjitetit tonë, e guximit tonë. Nga mbarë Europa, nga mbarë bota, shqiptarët po vërshojnë në Tiranë.
Rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!

Share it :