Nesër në protestë nuk do mungojë as Berisha, ja si do jetë i ‘pranishëm’ lideri demokrat në shesh

Ndonëse prej 30 Dhjetorit të vitit të kaluar vuan dënimin “arrest shtëpie”, Sali Berisha nuk do mungojë në protestën e të martës, të thirrur nga demokratët në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në orën 17:30 të pasdites.

Edhe pse jo fizikisht, lideri i demokratëve mesazhin e tij për protestuesit do ta japë përmes teknologjisë, duke mbajtur një fjalim nga dritarja e banesës së tij, që do të transmetohet në një ekran i cili do të vendoset përpara selisë së kryeministrisë.

“Sali Berisha e ka thirrur këtë protestë dhe sigurisht ai do ta drejtojë këtë protestë”, tha Flamur Noka.

Pavarësisht se nga drejtuesit e lartë të selisë blu është folur për një protestë paqësore, në të cilën janë ftuar qytetarët që të vijnë me fëmijët, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka thotë se askush nuk mund të dirigjojë revoltën e qytetarëve.

“Protesta është protestë, nuk jemi as ne, askush që mund të themi se si do të dirigjohet”, u shpreh Noka.

Demokratët synojnë një pjesëmarrje të lartë numerike në protestën kombëtare që do jetë e para pa Sali Berishën fizikisht dhe me një grup parlamentar dhe opozitë të unifikuar në qëndrim.

Të vetmit që nuk do t’i bashkohen tubimit kundër Kryeministrit Rama janë Lulzim Basha dhe deputetët që e mbështesin atë.

Share it :