Pas Parkut Kombëtar të Butrintit, qeveria ka bërë gati një projekt edhe për Parkun Karavasta-Divjakë i cili do t’i hapë rrugë ndërtimeve.
Deputetja demokrate Ina Zhupa, e cila citoi projektin “Kingcoast Divjaka”, tha se qeveria parashikon të shkatërrojë eko-sistemin e florës dhe faunës, duke shkatërruar një “mushkëri” me projektin në fjalë.
Zhupa tha se qeveria do t’i hapë rrugë shkatërrimit të zonave të tjera të mbrojtura, duke filluar nga Dajti, Kune Vain e deri në Pishë Poro.
Deklarata:
Me investigimin e gazetarit Artan Rama, ra edhe fasada që mbulonte ndryshimet e ligjit të zonave të mbrojtura, që Partia Demokratike e ka kundërshtuar që ditën e parë.
Një ligj qartësisht me porosi, sic e kishim paralajmëruar, i cili nuk sjell asnjë të mirë për vendin përkundrazi bëhet për interesat e klientëve të pushtetit për të ndërtuar dhe në këto zona. Shembulli konkret është ky projekt në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta që do të ndërtohet pikërisht në zonë të mbrojtur që sot nuk lejohet. Pronarët e tij kanë pasur siguri që do ndryshohej ligji për ta se ndryshe nuk do të projektonin në zonë ku nuk mund të ndërtohej.
Projekti shkatërrimtar në territorin e mbrojtur të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta quhet Kingcoast Divjaka. Fotografitë tregojnë se pishat do t’u hapin vend ndërtimeve, rrugëve me asfalt dhe vegjetacionit artificial. Praktikisht shkatërrimi i eko sistemit dhe i florës dhe faunës së vecantë të këtij parku. Harroni flamingon dhe pelikanin, apo pamjet e tjera mahnitëse. Një mushkri për vendin do të shuhet me këtë projekt.
Mirëpo ky nuk është i vetmi projekt që do bëhet në zonat e mbrojtura sepse ligji që shkatërron zonat e mbrojtura në kundërshtim me rekomandimet e BE, në kundërshtim me shoqërinë civile dhe me interesin publik pritet të kaloj me shpejtësi këtë të enjte në kuvend do i jap rrugë shkatërrimit të tyre në gjithë vendin. Nuk do kursehen që nga Dajti, e Kune Vain, Butrint, Pishë Poro, e çdo bukuri e zonë e mbrojtur sot. Deputetët socialistë do përdoren si kartona sa herë ja kërkon partia.
Të dashur qytetar,
Rama e trajton Shqipërinë si plackë që mund ta ndajë në copa për klientët “ duke ngrënë qofte te Veranda”!
Sot është dita që te protestojmë në orën 17:30 në bulevard, kundra këtyre ligjeve klienteliste që ju marrin edhe ajrin qytetarëve, kundra shkatërrimit të bukurive natyrore të vendit, kundra masakrës mjedisore për beton, kundra humbjes së gjurmëve historike e kulturore.
Të gjitha bashkë në protestë!