Një shpërthim i fuqishëm në një kompleks magazinash, zonë industriale në Lushnje, i mori jetën babë e bir e plagosi 7 persona mes tyre edhe deputetin e PS-së, Bujar Çela, i cili ndodhej në biznesin e tij.
Shpërthim ndodhi rreth orës 15:30 në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit”, në një kapanon në ndërtim në qytet dhe shkak u bë një incident, teksa një vinç që po punonte në magazinë preku telat e tensionit të lartë.
“Dyshohet se gjatë punës, një vinçier duke drejtuar një vinç, aksidentalisht ka prekur linjën e tensionit të lartë dhe për rrjedhojë ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm” informoi policia e Lushnjes.
Si pasojë e shpërthimit viktimë kanë mbetur babë e bir, Roland dhe Elidon Hoxha dhe 7 persona të plagosur, mes tyre deputeti i Partisë Socialiste Bujar Çela. Ambulancat e Spitalit të Lushnjës vërshuan për të plagosurit, por gjetën pa jetë drejtuesin e vinçit Rolandin dhe në gjendje të rëndë djalin e tij Elidonin të dy mbi vinç. I riu humbi jetën teksa transportohej për në qendrën spitalore të Traumës, drejt të cilës mbërriti një tjetër i plagosur 41 vjeç dhe deputeti Bujar Çela që sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën.
Mbetet i paqartë shkaku i këtij incidenti gjatë që përfundoi në tragjedi për familjen Hoxha, por përmasat mund të ishin më të rënda, nisur nga pasojat.
Në videon e shpërthimit pas kontaktit të vinçit shfaqen objekte me presion të lartë në flakë ku dyshohet se mund të ketë pasur bombola oksigjeni në këto ambiente pune që kanë nxitur shpërthimin e fuqishëm.