Ndalimi nga policia e shtetit e Liam Osmanit, 44-vjeçarit që u fut mbrëmë në shtëpinë e BBV3, ka bërë bujë mediatike, si një person i kërkuar nga policia futet në një spektakël që ndiqet masivisht.
Osmani thuhet se ka deklaruar para policisë së kishte ardhur në Shqipëri dhjetë ditë më parë dhe nuk e dinte se ishte dënuar, por vetëm se dikush është askuar për të, edhe pse zyrtarisht thuhet se policia ka ekzekutuar ditën e sotme një vendim gjykate të shkurtit 2022, që dënonte Liam Osmanin, banorin e ri të “Big Brother Vip 3” me 2 vjet e 6 muaj burg. Ky shtetas, në vitin 2019, nëpërmjet mashtrimit, ka përvetësuar 17 bileta turistike për në Gjermani, për të cilat nuk ka kryer pagesat përkatëse.
Pas kësaj ngjarjeje të pazakontë përveç reagimeve negative ndaj stafit të BBV, përgjegjës për përzgjedhjen e banorëve, ka patur edhe meme ironike.
Një e tillë tregon dy ish-shokët e Rilindjes, Arben Ahmetaj dhe Erion Veliaj, si banorë të rinj të BBV.
Ahmetaj, i akuzuar për inceneratorët, ka kërkuar strehim politik në Zvicër dhe mendohet se ka fituar azilin dhe banon në një ndërtesë komune në Lugano.
Ndërsa Erion Veliaj ende nuk ka akuzë nga SPAK edhe pse është akuzuar nga Ahmetaj si pronari faktik i inceneratorit të Tiranës dhe disa vartës të tij janë arrestuar për shpërdorime me këtë aferë shumëmilionëshe.