Ligj për miq! Dy vendimet e qeverisë që do të favorizojnë oligarkët pranë pushtetit

Punësime politike në administratë, tendera, koncesione, PPP dhe në fund investime strategjike.

Këto janë disa nga mënyrat me të cilat qeveria Rama ka shpërblyer njerëzit e saj në më shumë se 10 vite në pushtet. Në shumë raste koncesionet e dhëna nga qeveria kanë rezultuar afera korruptive, siç ishin inceneratorët apo sterilizimi, me SPAK që ka burgosur, po heton dhe ka shpallur në kërkim ndërkombëtar edhe disa nga ish-ministrat më të fuqishëm të qeverisë.

Por koncesionet dhe PPP-të tashmë duken shumë të vogla në krahasim me nismën e re qe qeveria mori pak vite më parë, atë të investimeve strategjike. Ligji për “Investimet Strategjike” u miratua në vitin 2015 si një ligj i përkohshëm dhe afati u zgjat disa herë. Sipas ekspertëve të ekonomisë, ky ligj ka favorizuar një grup oligarkësh si dhe ka cenuar pronën private, duke nxitur konflikte sociale.

Janë të paktën 50 kompani the qindra përfitues të cilët janë shpallur investitorë strategjikë nga viti 2016, por në asnjë rast nuk ka pasur investim strategjik. Mes emrave që kanë përfituar statusin e investitorit strategjik janë shumë oligarkë dhe njerëz të tjerë të lidhur me qeverinë.

Rasti më flagrant ishte ai i Artan Gaçit, i cili e përfitoi statusin e investitorit strategjik në kohën kur bashkëshortja e tij Olta Xhaçka ishte ministre. Por skandali i çiftit Gaçi – Xhaçka nuk përfundoi këtu, pasi hetimet e SPAK nxorën se Artan Gaçi kishte tjetërsuar truallin prej 5500 metër katror me të cilin fitoi statusin e investitorit strategjik, ndaj ky truall u sekuestrua nga Prokuroria e Përgjithshme.

Ligjit për Investimet Strategjike i përfundoi afati në fund të vitit 2023, por babëzia e oligarkëve ka detyruar qeverinë ta zgjasë afatin. Mazhoranca ka propozuar që ky ligj të zgjatet deri në vitin 2027, ndërkohë që propozimet e socialistit Eduard Shalsi për të forcuar kriteret janë rrëzuar, për t’ua bërë më të lehtë miqve të pushtetit që të përfitojnë.

Por si të mos mjaftonte dhënia e truallit të shtetit oligarkëve, tashmë qeveria ka vendosur që investimet strategjike të bëhen edhe në Zonat e Mbrojtura. Një projektligj absurd në kundërshtim të rregullave dhe ligjeve të Bashkimit Europian, i kundërshtuar nga organizatat vendase dhe ndërkombëtare, por i miratuar në seancat “flash” të Kuvendit nga votat e mazhorancës.

Propozimi ka ardhur nga 12 deputetë: Fadil Nasufi (4415); Florenc Spaho (2604); Arkend Balla (2463); Edona Bilali (2711); Bujar Çela (4319); Anduel Tahiraj (2542); Shpresa Marnoj (3171); Mirela Pitushi (3508); Denis Deliu (2848); Klodiana Spahiu (2731); Enslemvera Zake (3068); Eduard Ndreca (7250).

Në kllapa janë vendosur numri i votave personale që secili prej tyre ka marrë në zgjedhjet e vitit 2021, për të treguar se përveç Eduard Ndrecës, të tjerët janë të pa votuar edhe nga elektorati i tyre, teksa në Kuvend kanë vite që nuk u dëgjohet zëri, por u duket dora e zgjatur sa më lart me kartonin jeshil për të votuar çdo ligj që urdhëron kryeministri.

Investitorët strategjikë që do të shkatërrojnë Zonat e Mbrojtura pritet të jenë të njëjtët miq të pushtetit, që tashmë do të zgjerojnë bizneset e tyre mbi bukuritë e natyrës shqiptare. Skandalin me investime strategjike në Zonat e Mbrojtura e ka nisur vetë Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, e cila në UNESCO ka pranuar se sakrifikoi Parkun e Butrintit për “Manastiri Resort”.

Të tilla “sakrifica” për miqtë do të jenë të shumta në muajt në vijim , pasi lista për investime strategjike tashmë është bërë edhe më e madhe.  “Më mirë një mik se një thesar” është shprehja që duket se po përdor qeveria, pasi këta miqtë po shkatërrojnë thesaret e Shqipërisë për t’i kthyer në thesare në llogaritë e tyre bankare./Ditar.al

Share it :