Xhaferri: Sot dita e Mësuesit, me 54 mijë nxënës më pak në vetëm 4 vite!

Nga Besart Xhaferri

Jerina është arsimtare nga Durrësi, që pasdite detyrohet të punojë si ndihmëskuzhiniere në një restorant në bregdet, pasi paga që merr nuk e ndihmon të përballojë të ardhurat financiare të familjes.

Gjatë një bisede që pata me të në një trajnim që kishte në fokus forcimin e rolit të arsimtarit në vendimmarrje më shprehu dëshirën për të braktisur vendin.

E ndava këtë histori sot në ditën e mësuesit, pasi sot përveçse është një ditë nderimi për plejadën e arsimtarëve brilant që ka nxjerrë ky vend dhe për dëshmorët e gjuhës shqipe, është një ditë kur duhet të reflektojmë edhe për gabimet tona, që arsimi në Shqipëri u rikthye 10 dekada pas.

Sot duhet të kërkojmë një përgjigje se përse këtë vit në shkencat ekzakte u regjistruan  vetëm 27 studentë dhe përse universitetet shqiptare në çdo rankim janë ndër të fundit në botë.

Duhet t’i shtrojmë vetes pyetjen a është normale që sot universitetet tona kanë buxhet më të madh për sigurinë dhe mobilimin e zyrave se sa për kërkim shkencor.

Sot është një ditë që duhet të kërkojmë llogari se pse nxënësve dhe mësuesve të fshatit Backë të Skraparit, apo fshatrave të tjerë ne veri dhe jug te vendit u duhen 4 orë për të shkuar në shkollë.

Sot duhet të kërkojmë shpjegim për shkolla që kanë më shumë mësues se nxënës, pasi në 4 vite janë larguar 54 mijë nxënës dhe ku abuzimit me bukën e nxënësve në konvikte nuk i thotë asnjë institucion ndal.

Edi Rama është një njeri që e urrën shkollën dhe të mirëshkolluarit, ndaj sot në 2024 sa i përket shkollimit kemi kabinetin më të dobët që nga dita e krijimit të shtetit shqiptar.

Arsimtari është institucion dhe vëmendja dhe fokusi ynë ndaj tij duhet të jetë në lartësinë që ai e meriton, pasi një shoqëri ka progres vetëm kur arsimtari ka autoritetin e Perandorit.

Share it :