Duket sikur Evropa gumëzhin në normalitetin e jetës së përditshme. Kafene të zhurmshme, fëmijë që luajnë, turistë që bëjnë foto. Megjithatë, një hije nderet në horizont. Një hije e hedhur nga gjëmimi i tankeve në kufirin lindor të Evropës.
Zyrtarë të lartë të BE-së, përfshirë krye-diplomatin e BE-së, Josep Borrell, po paralajmërojnë vazhdimisht mbi një luftë të mundshme që do të shpërthejë në truallin evropian. Gjithsesi ndjenja e normalitetit vazhdon. Hendeku midis deklaratave zyrtare dhe perceptimit publik, zbulon një kontinent thellësisht të përçarë në lidhje me kuptimin e kërcënimit aktual.
Pyetja gjithsesi mbetet po ajo:A është një luftë evropiane një mundësi reale, apo thjesht një taktikë për të grumbulluar mbështetje për Ukrainën? Ndoshta janë të dyja bashkë. Paralajmërimet mund të shpeshtohen në formën e një mesazhi të dyfishtë, për ta frenuar Rusinë, dhe njëkohësisht për të nxitur shtimin e ndihmës për Ukrainën. Megjithatë zhvillimet e fundit, si vendosja e armatimit të avancuar rus në front dhe potenciali për një ofensivë të re këtë verë, na japin një panoramë shqetësuese në lidhje me mundësinë e konflikteve.
Taktikat e përdorura nga forcat ruse dhe ukrainase në këtë konflikt të vazhdueshëm, mund të përshtateshin lehtësisht për një luftë të mundshme hibride të zhvilluar në territorin evropian.
Me zhurmën e veçantë të motorit, dronët iranianë Shahed-136, janë bërë një prani e vazhdueshme në qiejt e Ukrainës gjatë sulmeve ajrore ruse. Nuk është e paimagjinueshme, që në një të ardhme jo shumë të largët, këta dronë të gumëzhijnë një ditë edhe mbi hapësirën ajrore evropiane.
Afërsia gjeografike e qyteteve të mëdha evropiane, si Berlini dhe Varshava, me fushat e betejës ukrainase si Sevastopol dhe Kiev (të dyja më pak se 2000 milje larg), nënvizojnë diapazonin e mundshëm të këtyre dronëve, edhe pse nuk janë teknologjia më e avancuar që ka në dispozicion Rusia.
Zhvillimet e fundit, përfshirë artilerinë e rëndë ruse që kalon mbi kufirin polak, paraqesin një panoramë shumë shqetësuese. Por pavarësisht këtyre rreziqeve të shtuara, duket se ka një mungesë kolektive të ndenjës së emergjencës për ta pranuar seriozitetin e situatës.
megjithatë ky perceptim, nuk është uniform në të gjithë Evropën. Në fakt, pavarësisht shqetësimeve në rritje, ka një ndarje të qartë midis reagimit pro-aktiv të vendeve të
Evropës Lindore, dhe mosveprimit të dukshëm të homologëve të tyre perëndimorë.
Duke jetuar nën hijen e “ariut rus”, vendet e Evropës Lindore i kanë kaluar muajt e fundit duke shprehur një ndjenjë të dukshme alarmi, dhe duke forcuar në mënyrë aktive mbrojtjen e tyre. Lituania, një vend anëtar i NATO-s, shumë më i vogël në përmasa krahasuar me vende si Franca apo Gjermania, dallohet si një udhëheqëse në shpenzimin e një pjese të madhe të PBB-së së saj për të forcuar mbrojtjen, duke ia kaluar ndjeshëm aleatëve të saj perëndimorë.
Edhe Polonia, pavarësisht ndryshimit të qeverisë pak kohë më parë, vazhdon të përballet me tensionet historike dhe kulturore me Rusinë. Atje, fantazma e luftës është e vazhdueshme, një realitet rrëqethës që hedh një hije të gjatë mbi jetën e përditshme.
Megjithatë, sugjerimi se ndërgjegjësimi i rritur i polakëve vjen vetëm nga afërsia gjeografike me agresorin, do të ishte një mbi-thjeshtëzim i rrezikshëm i situatës. Siç e tregon në mënyrë tragjike konflikti në Ukrainë, lufta moderne mund t’i kapërcejë me lehtësi edhe distancat e mëdha.
Arkitektura dhe aleancat ekzistuese të sigurisë mund të ndryshojnë rrënjësisht. Dhe nuk ka dyshim se do të ndryshojnë edhe peizazhet politike, me një potencial si për rritje të bashkëpunimit ashtu edhe për prishje të mëtejshme.
Ndikimi ekonomik do të ishte me pasoja shkatërruese, nga tregtia, investimet dhe deri tek stabiliteti i përgjithshëm për vitet e ardhshme. Pas pandemisë së Covid-19, një Evropë e vetëkënaqur nuk ka luksin të shpërfillë këtë rrezik. Ka ikur koha e mohimit të realitetit.
Ajo duhet të përballet ballazi me kërcënimin. Ndaj është thelbësor dialogu i hapur me qytetarët evropianë mbi mundësinë e shpërthimit të luftës dhe pasojat e saj. Ky dialog, duhet të shkojë përtej sferës së retorikës politike, dhe të thellohet tek realitetet e zymta të situatës.
Një qasje e shumanshme, është mënyra e vetme për të shmangur hijen e afërt të luftës, dhe për të siguruar një të ardhme paqësore për Evropën. Përpjekjet e vazhdueshme diplomatike me Rusinë duhet të mbeten prioritet, por ato duhet të shoqërohen me përgatitje ushtarake serioze.
Rritja e investimeve tek aftësitë mbrojtëse, dhe një angazhim i ripërtërirë ndaj sigurisë kolektive përmes NATO-s janë hapa shumë thelbësorë. Megjithatë, siguria shkon përtej vetëm fuqisë ushtarake. Evropa duhet të punojë drejt një politike të jashtme më të unifikuar, dhe drejt ndërtimit një themeli ekonomik më të fortë. Kjo do të kërkojë një angazhim të ripërtërirë për integrimin evropian dhe gatishmërinë për t’i kapërcyer ndarjet historike.