Kandidati për Deputet me PD-në në Durrës, Igli Cara, tha gjatë prezantimit të programit të PD, për qeverisjen 2025-2029 për infrastrukturën dhe transportin, se Rama ia fali Portin e Durrësit Alabbar.
Sipas tij, kjo çështje, është vjedhja më e madhe që i është bërë ndonjëherë Shqipërisë, por jo vetëm, edhe Balkanit dhe Europës.
Cara theksoi se, ne qeverisjen e PD në Portin e Durrësit do të ketë zhvillime të reja, ndërsa ky port është kombëtar dhe i përket gjithë shqiptarëve.
Igli Cara: Sektori portal në gjithë këto vite ka patur zgjerim, por ka patur nevojë edhe për më shumë. Lidhja që do të bëhet me Kosovën, linja hekurudhore, do të ketë fluks më të madh të mallrave. Kjo do të kërkojë nga ana jonë, qeveria e ardhshme, të jemi të gatshëm për të përballuar këtë fluks. Që do të thotë, kemi nevojë për një port të thellë, diport, që të ketë anije më të mëdha e të përballojë më shumë volumet. Deri më tani, në Portin e Durrësit kemi rreth 4 milionë ton mallra, kuptohet që ne duam të shkojmë 8, pse jo dhe 12 milionë ton në vit. Dhe kjo, me kushtet aktuale nuk është e mundur. Kjo do të bëjë që bëjë që Shqipëria të jetë një nga portat hyrëse më të fuqishme jo vetëm Shqipërisë, por edhe rajonit, Kosovës, Maqedonisë e me radhë. Kuptohet që Porti i Durrësit ka patur ndryshime kohët e fundit, por me ardhjen e PD do të ketë zhvillime të reja.
Është vjedhja më e madhe që ka patur ndonjëherë Shqipëria, pse jo Ballkani dhe Europa. Bëhet fjalë për një falje për një shumë 3 miliardë euro. Fundja, duhet të kuptojmë se ky është një port kombëtar dhe të gjithë shqiptarë janë aksioner të këtij porti. Imagjinoni që një pasuri 3 miliardë euro t’ia falësh mikut apo vetes, sepse 60% të aksionerëve nuk dihet se kush janë.
Pyetja është. Si ka mundësi të falësh pa ligj, sepse të gjithë e dimë që ka shkelur marrëveshjen e stabilizim asocimit ku neni 6 thotë qartë dhe saktë: Nuk mund të falësh një pasuri publike! Çdo pasuri që do të duhet të zhvillohet, duhet patjetër ti nënshtrohet prokurimit publik. Që do të thotë se duhettë bësh garë. Porti i Durrësit iu fal Alabarit. Por nuk mbaron me kaq. Shqiptarët do të kenë një kosto tjetër të madhe, se përderisa do t’u mbyllet porti i Durrësit, do tu duhet të bëjnë një port të ri. Dhe zoti Rama ka deklaruar që po bën një port të ri, i cili kushton rreth 2 miliardë euro. Pra, u bënë 5 miliardë euro.