Berisha: Si Altin Dumanit i prapësuan 19 mandate arresti për Veliajn dhe bandën e tij

Kreu i PD-së, Sali Berisha e ka konsideruar 11 Korrikun, si një datë të rëndësishme dhe të jashtëzakonshme në historinë e lëvizjes demokratike të PD-së dhe opozitës shqiptare, pasi sipas tij, do të tregojnë se janë shumica dhe se janë të vendosur në një betejë pa kthim për qeveri teknike, zgjedhje të lira, fitore të opozitës.

Gjatë fjalës së mbajtur në tubimin e sotëm, Berisha sulmoi dhe kreun e SPAK, Altin Dumanin, duke e konsideruar si vegël në duart e kryeministrit Edi Rama. Sipas liderit demokrat, Dumani e ka shndërruar skrapin e partisë, në mburojën më kriminale, më të shëmtuar të megaaferave dhe vjedhjeve të Edi Ramës dhe qeveritarëve, teksa sulmon çdo ditë opozitën si dhe mbyll dosjet elektorale.

Ndër të tjera, Berisha tha dhe se Altim Duman u praps nga Edi Rama për 19 mandatet e arrestit për Erion Veliajn dhe bandën e tij, duke i nxjerrë kartonin e kuq, pas publikimit të lajmit në media.

Sali Berisha: Në historinë e lëvizjes demokratike të PD-së dhe opozitës shqiptare, 11 korriku shënon një datë të një rëndësie të jashtëzakonshme. Me 11 korrik shqiptarët e zemëruar, shqiptarët e revoltuar dalin në shesh për dinjitetin e tyre. Dalin në shesh për atdhetarinë e tyre. Dalin në shesh për tu përballur me regjimin më armiqësor që kanë pasur ndonjëherë përballë. Dalin në shesh për tu përballë me armikun më të rrezikshëm, më të pashpirtë të kombit shqiptar, që po boshatis, po zbras Shqipërinë nga shqiptarët, si asnjë pushtues në histori. Dalin në shesh si shpresa e fundit për Shqipërinë dhe shqiptarët, si shpresa e fundit për një komb që po pakësohet çdo ditë e më shumë. Dalin në shesh për një komb që po vidhet, si asnjë komb tjetër në Europë dhe botë. Dalin në shesh kundër një diktature të bazuar në aleancën e krimit, me krimin, drogën dhe vjedhjen e qytetarëve, e cila ka konfiskuar votën e tyre, ka konfiskuar lirinë e tyre. Dalin në shesh përballë një njeriu, Edi Ramës, i cili me firmat e tij fap, fap, fap, e paf, paf, paf, ju vodhi shqiptarëve jo qindramilionë, por të kemi parasysh dhe portin e Durrësit, miliarda e miliarda euro. Ndërtoi në Shqipëri një sistem në të cilin, zyrtarë dhe qeveritarë në të gjitha nivelet, ndajnë paratë publike të vjedhura me familjarët e tyre. Ndajnë pasuritë publike njëri me tjetrin, kurse shqiptarëve u lënë rrugët e botës. Ndaj dhe 11 korriku është dita në të cilën ne shqiptarët ngrihemi dhe ju tregojmë kombit dhe botës se jemi shumica e tij. Se jemi shpresa e tij. Se jemi të vendosur në një betejë pa kthim për qeveri teknike, zgjedhje të lira, fitore të opozitës. Ndaj dhe me 11 korrik në sheshet dhe rrugët e Tiranës, do të jetë çdo shqiptar që i thotë votës së lirë, votë e lirë, që i thotë lirisë, liri, pa të cilën nuk ka dinjitet njerëzor. Pa të cilën nuk ka dinjitet kombëtar, shpresë dhe të ardhme për qytetarin dhe vendin. Në 11 korrik çdo shqiptar që i dhemb shpirti dhe zemra për zbrazjen e Shqipërisë, boshatisjen e këtij vendi sikur të ishte vend i mallkuar, ngrihet, përballet dhëmb për dhëmb me armiqtë e egër të saj.

Me 11 korrik çdo shqiptar që beson se nuk ka liri dhe dinjitet pa drejtësi të pavarur, se nuk ka liri dhe dinjitet me narkodrejtësi, me dumanër dhe zamanër, ngrihet për të përmbysur regjimin dhe rikthyer në Shqipëri, kushtetutën, ligjin dhe të drejtat e shqiptarëve. Çdo ditë Zamani, ky mercenar me grupin e tij të strukturuar kriminal, tallet me cinizëm me shqiptarët. Çdo ditë duke mbyllur dosjet elektorale, duke sulmuar opozitën, dëshmon se nuk është gjë tjetër veç se një mercenar i regjimit që meriton largimin e menjëhershëm, dhe ndëshkimin ligjor më të fuqishëm, për krimet që ka kryer. Altin Zamani kjo vegël e verbër në duart e Edi Ramës ka shndërruar skrapin e partisë, në mburojën më kriminale, më të shëmtuar të megaaferave dhe vjedhjeve të Edi Ramës dhe qeveritarëve.

Këto ditë jeni dëshmitar se si u prapësuan nga Altin Dumani dhe Edi Rama 19 mandate arresti për Erion Veliajn dhe bandën e tij. Pasi lajmi u publikua në të gjitha mediat e qeverisë, nga mjeroja, Bolino e me radhë, u zhduk. Nuk ndodhi asgjë, sepse Dumanit i nxorrën kartonin e kuq. O hajdut i thanë, po kë mund të arrestosh ti pa lejen tonë. Shpresa e fundit jeni ju. Pa drejtësi nuk ka liri. Pa drejtësi një kombi i vritet besimi dhe e ardhmja. Ndaj dhe me 11 korrik mbarë kombi në këmbë, si kurrë me parë për drejtësi sociale, për dinjitet, për shpresë dhe të ardhme. Prej kohësh opozita ka depozituar në skrapin e partisë jo se ajo nuk e di, që dosjet e saj që të gjitha mbyllen, por në respekt të kushtetutës së saj, që përcakton se shteti ligjor është dhe mbetet themeli i shoqërisë së lirë, me dhjetëra e dhjetëra dosje. Ku janë ato? Që të gjitha janë të stamposura me një gërmë ‘A’, dosje nga armiku. Dhe unë i them armikut Edi Rama se në qiell e në tokë po të shkosh atyre dosjeve nuk u shpëton dot ti, ministrat tu, Altin Zamani yt dhe të gjithë ata mercenarë, avoketër të krimit që ke bashkuar një e nga një, në skrapin e partisë.

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *