Disa minuta pasi Flamur Noka dhe Blendi Nallbati ndezën në flakë karriget në oborrin e parlamentit, nga dera u pa të dilte me nxitim një gardist që mbante në dorë një fikëse zjarri. Me shpejtësi, para se ta ndalonin deputetët e opozitës, ai lëshoi shkumën nga fikësja e zjarrit dhe arriti t’i zbusë flakët e protestës. Disa minuta më pas, deputetët e opozitës u larguan dhe të tjerë gardistë u panë me fikëse zjarri dhe kova me ujë për të shuar flakët.
Pak a shumë, me të njëjtën detyrë që iu ishte ngarkuar gardistëve dhe që ata e ekzekutuan sipas parimit “urdhri nuk diskutohet, por zbatohet”, një ditë më pas u shfaqën edhe diplomatët e huaj të akredituar në Tiranë.
Me disa reagime publike ndërkombëtarët dolën kundër protestës se opozitës që dogji karriget e parlamentit dhe që ka lëshuar sinjale se do të tregojë forcën në 7 tetor përballë dhunës së mazhorancës.
Për ta bërë sa më skenike deklaratën, kreu i delegacionit të Bashkimit Europian, italiani Silvio Gonzato shkoi vetë në oborrin e parlamentit, pikërisht aty ku punonjësi i gardës kishte fikur flakët e karrigeve me kovën me ujë në dorë.
“Në një demokraci funksionale si Shqipëria pakënaqësitë duhet të shprehen në mënyrën e duhur e nuk duhet të përdoren dhunë apo dëmtime ndaj pronës për të shprehur mendimin, deputetët e kuvendit duhet të kenë mundësinë të përmbushin rolin e tyre në siguri të plotë” tha ambasadori i BE-së.
Në prononcimin e tij, Gonzato u bëri thirrje palëve t’i kthehen dialogut dhe që të ndalohet “përshkallëzimi i situatës dhe të shmangen sulmet personale dhe verbale”.
Pak më vonë, të njëjtin pozicion e mori edhe ambasada amerikane kur u shpreh shqetësimi për forcën e dhunën në Parlament ditën e djeshme, teksa apelohet për dialog mes palëve.
Ambasada e SHBA është thellësisht e shqetësuar për shkatërrimin dhe forcën e shpalosur në parlamentin shqiptar të hënën. Akte të tilla dëmtuese dhe potencialisht lënduese nuk kanë vend në procesin demokratik”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Shqetësimit për karriget e djegura në shenjë proteste të opozitës, iu shtua edhe ambasada britanike. Me një mesazh në rrjetet sociale, diplomatët britanikë kërkuan dialog konstruktiv dhe paqe në parlament.
“Dhuna nuk ka vend në demokraci. Ambasada britanike nxit të gjithë partitë politike në Shqipëri të përfshihen në dialog konstruktiv dhe në procese paqësore parlamentare. Ambasada britanike dënon aktivitetin që kërkon të minojë këto principe dhe mbetet e angazhuar të ndihmojë njerëzit dhe demokracinë në Shqipëri” thuhet në deklaratën e shkurtër për mediat.
Asnjë nga ambasadat nuk kishte reaguar më parë për burgosjen e Ervin Salianjit. Të mbetur peng të narrativës se reforma në drejtësi është një histori suksesi, diplomatët e huaj nuk kishin si të flisnin kur prokuroria dhe gjykatat e asaj që e quajnë drejtësia e re, ekzekutuan një hakmarrje të pastër politike, që pati si pikënisje denoncimin e trafikantëve të drogës.
Por duket se tashmë është tepër vonë. E njëjta opozitë ka përtypur arrestimin dhe izolimin e kreut të saj Berishës, ka parë arrestimin dhe burgosjen e një prej të paktëve kandidatëve fitues në zgjedhjet lokale Belerit dhe për më tepër po shikon se si përndiqet dhe kërcënohet me SPAK, sa herë tenton të ngrejë zërin për pakënaqësitë që ka ndaj qeverisjes së Edi Ramës.
Në konferencën me gazetarët, Sali Berisha nuk e pranoi kërkesën e ambasadave, por bëri dallimin mes burokratëve të diplomacisë dhe popujve që ata përfaqësojnë, të cilët heshtën pas arrestimit të Salianjit.
“PD ka respekt për partnerët ndërkombëtarë, por ka respekt edhe për popujt e vendeve partnere, të cilët sa herë gjenden përpara një padrejtësie, i japin përgjigjen e tyre të merituar cilitdo. Kjo është edhe përgjigjja ime. Në qoftë se unë vërtet në fjalën time kërkova që të mos heshtin para dhunës politike që është forma më e egër e dhunës, përpara burgosjes së një njeriu, i cili edhe njëherë, nuk mbrojti vetëm interesat e shqiptarëve, por edhe të qytetarëve të BE, për aq sa është Italia një vend kryesor i BE. Por, edhe për aq sa administrata e SHBA dhe vendeve të tjera është e interesuar për prerjen e lidhjeve të politikës me krimin dhe luftën kundër kriminalitetit” u shpreh Berisha. (konferenca e plotë KETU)
Njësoj edhe deputeti Tomorr Alizoti, në një prononcim vuri në dukje se reagimet e ambasadave kundër protestave nuk ndodhin në asnjë nga vendet e Bashkimit Europian.
“Me gjithë respektin, e bën ambasadori i BE këtë deklaratë kur digjet Athina apo Parisi? Jemi ne më të civilizuar se ata? Këtu është djegur liria e shqiptarëve. Opozita nuk duhet të merret me retorikë. Duhet të trembë pushtetin”, tha ai.
Alizoti u shpreh se opozita duhet të mbroje interesat e kombit dhe se dënimi i Salianjit ishte një padrejtësi për të cilën opozita duhet të mbushë rrugët.
“Të dënosh Salianjin e të lesh gjithë njerëzit që kanë harxhuar 500 mijë apo 1 milion dollarë, kjo është një çështje shqiptare. Shqiptarët duhet të mbushin rrugët. Demokracia dhe opozita duhet të radikalizohen. Le të fusin të gjithë deputetët e PD brenda, më mirë jemi atje. Sot Salianji është i madh dhe deputetët e PD të vegjël”, u shpreh Alizoti.