I mori 8 mln lekë pacientes me Covid, Tire Alldervishi ia hedh vetëm me 6 muaj burg

Gjykata e Tiranës ka dhënë ditën e sotme vendimin për skandalin e “Tires”, të denoncuar nga një emision televiziv gjatë kohës së pandemisë në ambientet e spitalit “Shefqet Ndroqi”, ose Covid 2.

Bëhet fjalë për sanitaren Tire Alldervishi, e cila i mori 8 milion lekë të vjetra vajzës së një paciente, duke u hequr si infermiere dhe duke e mashtruar se do të kujdesej për të. Pacientja 55-vjeçare ndërroi jetë pas 28 ditësh në spital, teksa “Tirja”, pavarësisht ryshfetit, jo vetëm që nuk kujdesej për të, por edhe e keqtrajtonte.

Tire Alldervishi është dënuar me 4 vite burgim nga togat e zeza, duke u shpallur fajtore vetëm për veprën penale “Mashtrimi”.  Ndërkohë, ajo nuk do të bëjë më burg, pasi Gjykata ka urdhëruar pezullimin e dënimit me burg për 11 muajt e mbetur, duke ia konvertuar në 22 muaj shërbim prove.

Sanitarja e “Shefqet Ndroqit” Tire Alldervishi u arrestua më 13 Janar të vitit 2021 dhe u lirua nga qelia më 16 Korrik të vitit 2021 me vendim të Gjykatës së Apelit, duke i caktuar masën “Arrest në shtëpi”, si dhe iu ndryshua vepra penale nga korrupsioni në mashtrim.

Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar 7 vite burgim për Tire Alldervishin për kryerjen e veprës penale të  “Mashtrimit” të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë dhe që ka sjellë pasoja të rënda, por Gjykata e ka dënuar 3 vite më pak.

Përfundimisht, “Tirja” për skandalin e saj bëri vetëm 6 muaj burgim.

Ndërkohë, Gjykata e Tiranës i ka shpallur të pafajshme infermierët Sheqerije Koçi, Sidorela Çela, Erjola Jazxhi dhe Gylbra Halilaj, të cilat akuzoheshin si bashkëpunëtore të “Tires”.

Ndërkohë për to, Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar nga 6 vite burg për secilën për veprat penale “Mashtrim” me pasoja të rënda dhe “Shpërdorim detyre”.

Gjithashtu, 6 vite burgim ishte kërkuar edhe për sanitaren tjetër Rukije Hoxhaj, e cila po ashtu është shpallur e pafajshme nga Gjykata e Tiranës.

Rasti ishte tronditës për opinionin publik, ku u dëshmua me zë dhe me figurë për mënyrën se si trajtoheshin në spitalet shtetërore të infektuarit me Covid-19.

Procesi gjyqësor ka zgjatur në kohë, pasi është zhvilluar me gjykim të zakonshëm prej 2021-shit kur u zbulua skema me pacientët me Covid.

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *