Bojaxhiu dhunën në shkolla nuk e gjen tek mungesa e edukimit por tek mbyllja e Tik Tokut

Nga Ndricim Kulla

Kreu i regjimit  ose më saktë diktatori ,e shikon burimin e vrasjeve ,drogës ,therjeve me thika dhe dhunës mes të rinjve në shkolla tona tek Tik -Toku ,i cili  është një hapësirë e madhe digjitale  e lirisë dhe e forcimit të opinionit publikë dhe jo tek përgjegjësia e edukimit. Nuk është konsultuar as me psikologët, as me psikologët, as me politologët por ndoshta me patronazhizstët dhe tak fap siç ia merr mëndja atij në të gjitha vendimet, ka vendosur që ta mbyll këtë platformë sociale dhe ta zmadhojë edhe më shumë bunkerin e fjalës së lirë.

Po a nuk është sociologjia e arsimit që mungon, përballë “ortekut” të teknologjive të reja shkaku kryesor i shthurjes së shkollës së sotme shqiptare që bojaxhiu nuk e kupton?

Le ti bëjmë një interpretim pak profesionist këtij pohimi që pretendojmë.

Pavarësisht nga dobitë dhe rreziqet që mbart në vetvete, epoka e teknologjive të reja duhet të ketë e do të ketë gjithnjë e më shumë në të ardhmen një qendër të vetme graviteti: shkollën. Ndaj, me urgjencë duhet të vihet në zbatim një “aksion” i përgjithshëm i një edukimi parandalues – mundësisht nga tërë shoqëria – ndaj rreziqeve dhe një ndërgjegjësim kritik ndaj dobive dhe përfitimeve, që të shohim si protagoniste një shkollë të rinovuar, të aftë për të qendërzuar funksionin etiko-civil që i përket asaj në qenësinë e vet. Çka do të thotë shtimi i projekteve nga tërë politika jonë, për një shkollë të aftë për të qendërzuar një kulturë të të drejtave të kësaj qytetarie të re, që në mileniumin e ri po shndërrohet gjithnjë e më telematike dhe planetare. Një kulturë kjo kritike edhe nga ana e opinionit publik, i cili paralajmëron dëmet dhe përkujdesën ndaj një qytetarie të hapur me rrezikun për t’u transformuar nga një elitë teknicienësh në një “shoqëri të qeverisjes së opinionit publik”, apo në një formë kontrolli të paracaktuar, ndryshe nga të zakonshmet, por të ngjashme me ato të tipit të demokracisë plebishitare apo të “Panoptikon”-it benthamian. Për këtë arsye, është mjaft e rëndësishme që Interneti dhe të gjitha produktet e tij digjitale të ruajë gjithmonë rolin e tij të “të qenit” absolutisht i privuar prej kontrollit nga lart. Në këtë optikë, përtej strukturës së shkollës sonë, që sigurisht duhet filluar të ndryshojë e të reformohet. Përballë kësaj sfide të re duhet të ishte investuar  shumë edhe kah transformimit radikal në kulturën vetjake të edukuesve, e cila është e destinuar të evoluojë drejt arritjes së pozitës së një “elite” të caktuar udhëheqëse të karakterizuar nga shpirti i bashkëpunimit dhe i ndërveprimit brenda “laboratorit virtual didaktik”. Një element ky i ri i kohës, që duhet të ishte i gjallë në metodat e mësimdhënies si një vend i simulimit dhe i problematizimit të të gjitha llojeve të dijeve, jo vetëm atyre tekniko-shkencore, por edhe të atyre të ashtuquajtura “humanitare”.

Nga ana tjetër, e gjithë kjo ndërmarrje duhet të shoqërohet nga një “ethos” rinor, që të lëvizë midis lirisë dhe përgjegjshmërisë, për ta vënë teknologjinë e kohës sa më mirë dhe sa më shpejt në shërbim të shoqërisë. Përveç kësaj, interpretimi etik i këtij revolucioni informatiko – telematik duhet të vendoset në “shtratin shqyrtues” të nihilizmit dhe të skepticizmit të mjeteve të opinionit publik, rryma këto mbizotëruese në filozofinë e shekullit të shkuar. E gjithë kjo, për faktin se ato përfaqësojnë një “sizmografi mjaft të ndjeshme të gjendjes sonë shoqërore”, të afta për të regjistruar dhe shënjuar skajet më ekstreme dhe pozicion-luhatëse të diagramit të aktualitetit shqiptar. Nisur nga ky konstatim, liria dhe përgjegjshmëria duhet të përbëjnë vlerat tona udhëheqëse në procesin e edukimit e të shoqërizimit të brezave të rinj me kompleksitetin e kulturës së informacionit që afrojnë rrjetet telematike. Duhet pra një shkollë e rinovuar në të gjitha nivelet, e hapur në mënyrë kritike ndaj së resë dhe e kualifikuar në kulturë, e aftë për të thithur kështu brenda vetes sfidën radikale të ndryshimit të zakoneve e të mënyrës së jetesës, që shënjon në thellësi transformimin e gjithë jetës kolektive të shoqërisë, duke ndriçuar skenarë të rinj, madje, edhe për një organizim të ri politik në të ardhmen.

Është ky realiteti ku duhet të përfshihet Shqipëria. Janë këto disa nga idetë e reja që duhej ta përfshinin sot ambientin shqiptar “të masakruar” më së shumti nga debatet shterpë të protagonizmit politik. Është kjo ideja që duhet t’i paraprijë shoqërisë sonë dhe strukturave të saj vendimmarrëse, sepse është kjo perspektiva ekzaltuese e një revolucioni antropologjik, shumë më parë sesa politik, që pasqyron një “shoqëri ku, krahas kolektivitetit dhe individualitetit, po i shfaqet gjithnjë e më tepër një forcë e tretë e pranisë njerëzore”, me të cilën duhet t’i bëjnë llogaritë e tyre shumë grupe a persona të caktuar, në mënyrë që të njihet sa më parë dhe në mënyrë të detajuar kjo hipotezë e zhvillimit të ardhshëm të shoqërive perëndimore. Bëhet fjalë, pra, për të ashtuquajturin “organizim kibernetik”, të lindur nga ndërlidhja teknologjike dhe nga dialogu i ethshëm që zhvillohet brenda tij. Në këtë kuptim, edukimi i qytetarëve tanë për të ushtruar një racionalitet të caktuar etik në përdorimin e teknologjive multimediale është një urgjencë që duhet të investohet veçanërisht në përgjegjshmërinë e mësuesve, të pedagogëve dhe të gjithë stafit akademik (pse jo, edhe të prindërve), me bindjen se ata janë protagonistë të rëndësishëm të reformës shkollore, përballë kësaj sfide që shumë shpejt do të kthehet në një problem të vërtetë pedagogjik edhe për shkollën dhe tërë shoqërinë tonë, të cilat shquhen për një nivel të ulët të kompjuterizimit, i cili i përgjigjet normës sonë të ulët si shtet të raportit person/kompjuter.

E kjo, sepse shoqëria e komunikacionit është sot problemi më i drejtpërdrejtë i tërë shoqërive në vendet e zhvilluara perëndimore, që synon maturinë e të rinjve me një “ethos” të kulturës telematike, por që, nga ana tjetër, kërkon edhe një garanci kundra rreziqeve të shoqërisë së “kontrollit total”, në botën pa kufij të demokracisë elektronike, brenda së cilës teknika dhe komunikimi mund të dhurojnë një liri universale nevojash dhe një jetë të jetuar me një cilësi shumë më të mirë, një jetë më aktive e më të ndërgjegjshme.

Është i njohur paradoksi i Arkimedit: “Jepmëni një levë dhe një pikë mbështetëse, e unë do ta ngre peshë gjithë botën!” Nëse një levë për të ngritur lart botën shqiptare do të qe edhe revolucioni digjital, pika e nevojshme e mbështetjes do të ishte një ndërgjegje e pjekur morale, e përshtatshme për të kuptuar dilemat e këtij tranzicioni të madh të stërzgjatur dhe të vështirë mbi bazën e një paradigme të re kulturore dhe edukative, të frymëzuar nga kompleksiteti që detyron në thellësi edhe reformimin e shkollës, për të ndriçuar mendjet e të rinjve, në kuptimin e kësaj të vërtete të thjeshtë, por gjithëtransformuese.

Këtu tek ky transformim duhet që ta shikoj  ndryshimin e nxënësve në shkolla dhe studentëve bojaxhiu që drejton qeverinë e sotme të shthurur fare dhe jo tek censura dhe gërshëra.

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *