Ekrani i madh apo i vogli?

Nga Lutfi Dervishi
Ekrani i madh apo i vogli?

Prej tri ditësh, debati i zhvilluar në emisionin “Opinion” mes drejtuesit Blendi Fevziu dhe përfaqësuesit të lëvizjes “Bashkë”, Arlind Qori, ka ngjallur diskutime të shumta në rrjetet sociale.

Në Opinion, ishin të ftuar katër drejtues të partive të reja, por koha televizive u dominua nga përplasja mes Fevziut dhe Qorit. Ky i fundit shprehu pakënaqësinë se nuk ishte ftuar në program prej më shumë se një viti, duke akuzuar televizionet e mëdha për bojkot ndaj tij dhe lëvizjes që përfaqëson.

Qori akuzoi televizionin Klan për censurë, gjë që u kundërshtua me forcë nga Fevziu. Drejtuesi i Opinion deklaroi se askush nuk mund t’i diktojë se kë të ftojë në emisionin e tij, duke theksuar pavarësinë editoriale të programit “Opinion”

Por nese marrim të mirëqenë pavarësinë editoriale të OPINION që është më shumë fryt individual i punës dhe qëndrimit ndër dekada të drejtuesit, pavarësia e media dhe mjedisi i ri i informacionit janë elefantët këmbëkryq para të gjithëve.

Debati që hëngri “emisionin” gërvisht një plagë që ka zënë kore prej kohësh: pavarësinë e mediave. Pavarësi editorale nga pronësia, nga interesat ekonomike dhe nga ndikimi politik.

Sot jetojmë në një mjedis tjetër. Nuk është më vetëm ekrani i madh! Krahas medias tradicionale, mediat sociale kanë fituar një rol të rëndësishëm.

Çdokush me një celular në dorë është media. Madje në kohen kur çdo pushtet kërkon të bëj punën e tjetrit ka ndodhur e pamendueshmja; qeveria është bërë vetë media; prodhon lajme dhe raportome për veten, të cilat televizionet vetëm i transmetojnë. Ministrat dhe vetë kryeministri, raportojnë që nga rrugët e bllokuara me borë, deri te kantieret ku punohet ditë e natë!

Lajmi dhe lajmësi janë bërë një!

Fushata zgjedhore, përjashtuar ditën e zgjedhjeve, raportohet nga vetë partitë!

Historikisht, në Shqipëri, edhe liderët e rinj të mbështetur nga televizionet nuk kanë pasur sukses politik.

Besueshmëria e medias ka rënë ndjeshëm, nga 70% një dekadë më parë në 20% për shkak të mungesës së pavarësisë editoriale, korrupsionit dhe kontrollit politik.

Por një shembull që sfidon establishmentin mediatik është rasti i Donald Trump, i cili triumfoi në zgjedhjet presidenciale duke bojkotuar median tradicionale dhe duke pasur kundër edhe anketat. Mbështetja te mediat sociale dhe takimet me njerëz rezultoi me efektive.
Partitë e reja në Shqipëri (dhe nuk janë vetëm katër që shfaqen në televizion) përballen me dilemën nëse duhet ta sfidojnë sistemin nga jashtë apo të përpiqen ta ndryshojnë atë nga brenda.

Në një mjedis ku pavarësia editoriale nuk ekziston as në letër dhe besueshmëria e medias (tradicionale) është në nivele të ulëta, kjo dilemë bëhet edhe më e vështirë.

Por problemi i partive të reja nuk është lufta për ekranin e madh. Sfida mbetet suksesi në ekranin e vogël mediat sociale) Dhe për dështimin këtu nuk mund të fajësosh askënd tjetër veç vetes!

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *