Gjatë qëndrimit në Athinë, kreu i PD-së Sali Berisha dha një intervistë për gazetarin grek Christos Mazanitis, e cila u transmetua në edicionin qendror të lajmeve të ANT1 mbrëmjen e së dielës. Berisha tha se në Shqipëri, zgjedhjet janë një farsë ndërsa nuk i kurseua akuzat për kryeministrin Edi Rama.
“Shqipëria është një narkoshtet, ku narkodiktatori (Edi Rama) mobilizon të gjithë vendin në procesin zgjedhor. Ai përdor para për të blerë vota. Përdor mafian, kartelet më të rrezikshëm mafiozë për të kërcënuar njerëzit” – tha Berisha.Shqipëria ka tre liderë të opozitës në burg. Fredi Beleri është rasti më tipik ku Edi Rama përdori policinë dhe gjyqtarët e kontrolluar për të arritur qëllimet e tij. Rama kontrollon të gjitha televizionet dhe tani po mbyll TikTok-un sepse të rinjtë e kritikojnë atë. Bashkëpunëtorët e tij janë regjistruar duke pasur lidhje me kartelet e Meksikës, me kartelin Sinaloa” – u shpreh kreu i opozitës.
“Unë gjithmonë kam punuar dhe kam promovuar dialogun për të zgjidhur problemet tona dhe për të ecur përpara. Në vitin 1996, së bashku me Presidentin Stefanopulos, kishim nënshkruar një marrëveshje duke punuar mbi çështjen e zonave detare dhe kishim arritur një marrëveshje shumë të mirë sipas mendimit tim, nga e cila dolëm të dy të fituar,” – tha ai duke folur për marrëdhëniet shqiptaro-greke.
“Edi Rama nuk iu drejtua Gjykatës Ndërkombëtare. Grekët u përpoqën, por Rama e torpedoi atë. Unë do ta rikthej marrëveshjen dhe do të bashkëpunoja me Greqinë” – tha Berisha.
Sa i përket çështjes Beleri, Berisha tha: “Ajo që bëri në Himarë ishte një provokacion i madh. E bëri për interesat e tij personale. Sepse Beleri nuk donte t’i jepte Ramës kanionin e zonës, të cilin nëna e Ramës dhe kushërinjtë e tij e kanë marrë. Ajo që keni parë është përpjekja e Ramës për të grabitur një nga kanionet më të njohura. Pra, Rama ka vetëm interesa mafioze,” – përfundoi ai