Gjykata e Posaçme e shkallës së Parë edhe në seancën e kësaj të mërkure nuk ka dhënë asnjë vendim për pajtim mes ligjvënëses demokrate, Albana Vokshi dhe Vilma Nushit, teksa kjo e fundit ishte e pranishme në seancë, ndërsa ka fituar tendera në shëndetësi për koncensionin e Check-Up.
Në një dalje për mediat pas përfundimit të seancës gjyqësore, deputetja e PD, Albana Vokshi tha se në gjykatë përballë nuk ka një biznesmene, por vetë kryeministrin Edi Rama, që sipas saj i ka dhënë Nushit koncensionin prej 120 milionë euro.
Vokshi shtoi se Nushi është paguar në shkelje të ligjit për më shumë se 20 milionë euro, ndërsa theksoi se ishte kryeministri Rama ai që dha urdhër, që Nushi të mos paraqitej në Komisionin Hetimor Parlamentar për Koncensionet në Shëndetësi.
“Unë nuk kam përballë një biznesmen, nuk kam përballë një sipërmarrëse, e kam theksuar edhe herë tjetër. Nuk kam të bëj me biznesmenët që fitojnë në mënyrë të ndershme, por do vazhdoj të denoncoj në të gjitha hapësirat e mia publike, çdo abuzim, korrupsion dhe sidomos kur kanë të bëjnë me jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Ekuacioni është shumë i thjeshtë, pra Vilma Nushi e ka financuar Edi Ramën për të marrë pushtetin.
Me të ardhur në pushtet, Edi Rama i dha koncesionin e CHECK-UP për Vilma Nushin, të planifikuar për 120 milionë euro. Drejtpërdrejt në lidhje me koncesionin e CHECK-UP, i dha edhe shumë tendera të tjerë. Vilma Nushi ka marrë një koncension prej 120 milionë euro. Nushi është paguar në shkelje të ligjit për më shumë se 20 milionë euro. Edi Rama nuk pranoi që Vilma Nushi të paraqitej në komision”, tha Vokshi.