Doganat/ Gent Gazheli fsheh skandalin e 600 ton mish Brazili që u importua nga Kosova

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nuk ka kryer asnjë verifikim për një skemë të dyshuar kontrabandimi të qindra mijëra kilogramë mish të Brazilit në Shqipëri, nëpërmjet falsifikimit të vendit të origjinës në Kosovë.

Disa muaj më parë, një emision investigativ shqiptar, ngriti dyshime të forta se shoqëria “Apetit Group” në Kosovë importonte mish nga vendi i Amerikës Latine dhe më tej e eksportonte në Shqipëri, pasi më parë i ndryshonte etiketën dhe e shënonte si produkt kosovar.

Skema e dyshuar, përveçse është shumë shqetësuese për shëndetin, përbën edhe një rast të shmangies së detyrimeve doganore.

Shqipëria dhe Kosova nuk kanë taksë doganore për produktet që importojnë tek njëri-tjetri. Por, taksa doganore aplikohet në rastet, kur, fjala vjen, Shqipëria importon mallra e produkte nga një vend i tretë dhe më tej i eksporton në Kosovë dhe anasjelltas.Në emisionin investigativ “Stop” u sollën raste konkrete, se si një sasi prej të paktën 1 mijë kilogramë mish Brazili u soll në Shqipëri nga “Apetit Group” si produkt i Kosovës. Në pamjet e emisionit u shfaqën copat e filetos të paketuara në qese plastmasi dhe, të gjitha të prera në një pozicion të caktuar, ku dyshohet se më parë ka qenë etiketa e vendit të origjinës, Brazilit.

Megjithatë, administrata doganore shqiptare, nën drejtimin e Gent Gazhelit, në rastin më të mirë, duket se ka qëndruar tërësisht indiferente për të verifikuar këtë skandal të dyshuar dhe përmasat e tij.

Boldnews.al” e pyeti Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave nëse ka nisur ndonjë verifikim për këtë situatë dhe cilat janë rezultatet e mundshme.

Përfaqësuesi e drejtorit Gent Gazheli iu përgjigjën redaksisë, duke e orientuar që informacionin për zhdoganimet e produkteve të kafshëve të gjalla ta kërkonin pranë institucioneve të përgjegjësisë ushqimore, më konkretisht pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU).

Bazuar në legjislacionin kombëtar: Import/eksport” është hyrja dhe/ose dalja fizike e ngarkesave, që i nënshtrohen kontrollit veterinar në territorin e Republikës së Shqipërisë, përmes pikave të miratuara të inspektimit kufitar. Importi, eksporti dhe transiti i dërgesave me kafshë të gjalla, produkteve mjekësore veterinare, produkteve embrionale të kafshëve, produkteve me origjinë shtazore,etj lejohen vetëm në pikat e inspektimit kufitar (PIK) dhe i nënshtrohen kontrollit veterinar nga inspektorët veterinarë të kufirit”, deklaron Drejtoria e Doganave për “Boldnews.al”

Në përgjigjen e saj, Drejtoria e Doganave ka devijuar tërësisht nga pyetja. Interesi mediatik kundrejt këtij institucioni lidhej me taksën doganore, e dyshuar si e shmangur.

Kjo shmangie nga përgjegjësia krijon dyshimet se Dogana e drejtuar nga Gent Gazheli po tenton të fshehë dhe të mbulojë skandalin e dyshuar me produktit ushqimor.

Nga ana tjetër, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave u fsheh nën parimin e konfidencialitetit, për t’iu përgjigjur interesit të “Boldnews.al” se cilat janë kompanitë shqiptare që kanë importuar mish nga subjekti “Apetit Group” në Kosovë.

Çdo informacion i marrë nga autoritetet doganore gjatë kryerjes së detyrave të tyre, i cili është i një natyre konfidenciale ose që është marrë në mënyrë konfidenciale, mbulohet nga kushti i sekretit profesional. Me përjashtim të rasteve të parashikuara në pikën 2, të nenit 48, ky informacion nuk jepet nga autoritetet kompetente doganore, pa lejen e shprehur të personit ose autoritetit që e ka dhënë atë”, thotë Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.

Në foto: Selia e kompanisë “Apetit Group” në Kosovë

Megjithatë, “Boldnews.al” ka siguruar listën e subjekteve shqiptare që kanë importuar mish për vitin 2023 nga “Apetit Group” në Kosovë.

Lista përbëhet nga 12 subjekte, kur përfshihen edhe kompani të rëndësishme në tregun shqiptar. Sasia e mishit të importuar për vitin 2023 nga “Apetit Group” është saktësisht 598.702 kilogramë mish (afërsisht 600 ton).

Gjithashtu, të dhënat e siguruara nga redaksia, dëshmojnë se aktiviteti i importit të mishit “kosovar”, por i dyshuar si nga Brazili, prej “Apetit Group” drejt kompanive shqiptare, ka vijuar pa ndalim edhe gjatë vitit 2024. Këto të dhëna po përpunohen nga redaksia.

Kompania “Apetit Group”, e cila operon prej vitesh në Kosovë, mohoi gjetjet e emisionit investigativ, në një deklaratë të lëshuar disa muaj më parë. Shoqëria private deklaroi se produkti i importuar në Shqipëri është mish nga gjedhët e Kosovës.

Këto qëndrime deklarative të kompanisë nuk janë konfirmuar nga Doganat Shqiptare pasi, siç u pranua për “Boldnews.al”, nuk duket se kanë kryer ndonjë verifikim për origjinën e vërtetë të mishit të importuar në vendin tonë nga “Apetit Group”.

Bold news

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *