Vendimi / Rama mbyll Tik Tok-un në prag të fushatës

Sali Berisha e cilësoi akt censure dhe më 15 mars njoftoi protestë kundër mbylljes së TikTok

Mes kundërshtimeve të forta të shumë përdoruesve madje dhe të opozitës Edi Rama ka vendosur të mbyllë për 1 vit TikTok-un në Shqipëri, në prag të fushatës elektorale. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu që u justifikua me një proces konsultativ manipulativ për të shpallur se Agjencia e Sigurisë Kibernetike do të mbyllë platformën kineze.

“Qeveria ka marrë vendimin për mbylljen e përkohshme të platformës online TikTok. Ne kemi zhvilluar një sërë takimesh konsultative me prindër, rreth 65 mijë prindër të pyetur në mbi 1300 takime për efektet që lidhen me sigurinë në mjedisin digjital dhe efektet negative që rrjetet sociale dhe platformat të cilat kanë përmbajtje të pakontrolluara, mund të sjellin në shëndetin psiko-emocional të fëmijëve. Në të gjitha këto takime, prindërit kanë qenë pro mbylljes ose kufizimit të platformës TikTok” tha ajo.

Nisma e qeverisë pati si pretekst ngjarjen e 18 nëntorit, kur pas një konflikti mes disa të miturve, mbeti i vrarë me thikë njëri prej tyre, 14 vjeçari Martin Cani.

Konflikti mes të miturve u tha se pati nisur fillimisht, në rrjetet sociale, ku dhe pas ngjarjes, autori i dyshuar goditjes me thikë të bashkëmoshatarit Cani, nxënësit të shkollës Fan Noli, postoi foto me grushtin lart dhe një tjetër ku tregonte thikën. Por askush nuk paraqiti prova për një pretendim të tillë.

Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë një takimi të këshillimit kombëtar me mësues e prindër,  se Tik-Tok do të mbyllet për një vit.

Sipas Flutura Kusarit, një eksperte e lirisë së shprehjes pranë organizatës European Center for Press and Media Freedom, “mbyllja e tërësishme e platformave të mediave sociale është joproporcionale, është masë ekstreme dhe vështirë e justifikueshme”.

“Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut tashmë ka vendosur në disa raste që mbyllja e tërësishme e platformave të tilla përbën shkelje të lirisë së shprehjes. Nëse unë jam hulumtuese në akademi, aktiviste apo gazetare dhe përdor vetëm Tik Tok për të shpërndarë informacione me tema për interes publik, mbyllja e platformës do të përbënte cënim të drejtëpërdrejtë të lirisë dhe të drejtës time për të marrë dhe shpërndarë informacione. Prandaj qeveria shqiptare duhet të balancojë mbrojtjen e fëmijëve dhe publikut me të drejtën e lirisë së shprehjes dhe jo të gjejë forma të shpejta që do te kenë pasoja negative në ushtrimin e lirisë së shprehjes,” ka thënë Kusari.

“Kemi bërë të gjithë hulumtimet tona në aspektin teknologjik dhe do të na duhen 6 deri në 8 javë, duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm, dhe për një vit ne do ta mbyllim plotësisht për të gjithë. Tik-Tok në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë! Pastaj, gjatë atij viti do të shikojmë si do të veprojnë vendet e tjera, çfarë do të nxjerrë teknologjia për kufizime, për filtra, etj, etj, si do të reagojë vetë TikTok”, tha Rama.

Vendimi i sotëm nxiti direkt reagimin e kreut të PD, Sali Berisha i cili në një deklaratë nga selia blu e cilësoi akt censure dhe më 15 mars njoftoi protestë kundër mbylljes së TikTok.

“Ky akt censure është një akt i mirëfilltë fanatizmi, intolerance, frike dhe tmerri nga mendimi i lirë dhe shprehja e tij. TikTok është një platformë komunikimi, e cila ka pushtuar sot, ka pëlqimin masivisht të të rinjve në Shqipëri dhe në botë”, tha Berisha duke mos harruar se kjo po bëhet në prag të fushatës elektorale.

©Lapsi.al

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *