Berisha pret deputetin italian: E informova për skandalin e inceneratorëve dhe mbetjet toksike

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar këtë të hënë një takim me deputetin italian, Jacopo Morrone, i cili është edhe kryetari i Komisionit hetimor parlamentar për mafien e plehrave.

Në një status në Facebook, Berisha njofton se Morrone i ka informuar ‘mbi aktivitetin e komisionit të tij dhe rëndësinë e çështjes së mafies së plehrave si në realitetin rajonal italian, ashtu edhe në atë europian’.

Lideri demokrat bën të ditur se në qendër të diskutimeve dypalëshe kanë qenë çështjet e inceneratorit dhe mbetjeve toksike.

Berisha thotë po ashtu  se gjatë takimit ka theksuar rëndësinë që anti-mafia italiane ka patur në zbardhjen e shumë rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke i ftuar autoritetet italiane të investohen fuqimisht në hedhjen dritë të këtij abuzimi qindra milionë eurosh.

Postimi

Takim me Deputetin italian, Jacopo Morrone, Kryetar i Komisionit hetimor parlamentar për mafien e plehrave, shoqëruar nga Këshilltari bashkiak, Daniele Mezzacapo dhe një grup sipërmarrësish shqiptaro-italian nga regjioni i Emilia Romanjës.

Deputeti Morrone na informoi mbi aktivitetin e komisionit të tij dhe rëndësinë e çështjes së mafies së plehrave si në realitetin rajonal italian, ashtu edhe në atë europian.

E falënderova për vizitën e tij në Shqipëri dhe e informova për peshën specifike të skandalit të inceneratorëve dhe mbetjeve toksike. Të dy rastet janë të lidhura me aktorë të bazuar në Itali.

Duke rikujtuar denoncimet e ish Zv/Kryeministrit Arben Ahmetaj, theksova se prapa mafies së plehrave në Shqipëri qëndron vetë Kryeministri Rama. I theksova rëndësinë që anti-mafia italiane ka patur në zbardhjen e shumë rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke e ftuar mua dhe autoritetet italiane të investohen fuqimisht në hedhjen dritë të këtij abuzimi qindra milionë eurosh.

Në përmbyllje, risjell në vëmendje se për Partinë Demokratike, koncepti i një Shqipërie madhështore mbështetet në një shtet me taksa të ulëta, që lufton korrupsionin dhe tërheq investime të huaja, veçanërisht nga Italia, partneri ynë kryesor ekonomik dhe kulturor.

Rasti i suksesit të delegacionit të sipërmarrësve që e shoqëronin Deputetin Morrone është prova më e fortë e lidhjes së shkëlqyer mes dy vendeve tona, që do të zhvillohet edhe më tej pas 11 majit 2025. Ky vit do të jetë padyshim viti i Diasporës Shqiptare!

https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2FSaliBerisha%2Fposts%2Fpfbid02Tgp8qvRPC7dgp8LFErsAeuZv34hDwss86d6wHjGEiMLLtXF5VEUETvss7aXxJbLwl&show_text=true&width=500

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *