Studentja e Mjekësisë: Nuk po kërcënohet vetëm TikToku, por e drejta jonë për të nxjerrë në dritë realitetin
Elida Rançi, studente e mjekësisë nga Peqini, mbajti një nga fjalimet më të fuqishme në protestën e rinisë kundër mbylljes së TikTokut.
Sot jemi mbledhur për të thënë të vërtetën, të vërtetën që Edi Rama kërkon ta fshijnë nga çdo ekran. Sot nuk po kërcënohet vetëm TikToku, por e drejta jonë për të folur, për të kritikuar dhe për të nxjerrë në dritë realitetin që ata duan të fshehin.
Rama po mbyll hapësirat ku të rinjtë tregojnë se si jeton rinia, jo në fasadën e tij, por në mjerim dhe papunësi. TikTok ka më shumë ndikim se mediat e kapura. Ky është problemi i vërtetë i Edi Ramës.
Nuk është çështja e sigurisë se ai nuk është kujtuar kur gjysma e rinisë iku nga vendi.
Ai kujtohet për rininë vetëm kur ajo flet kundër tij… Ne ngrihemi për të dëshmuar se liria e fjalës është më e fuqishme se dekret dhe çdo tentativë për ta mbytur atë. Le t’i themi jo censurës, jo propagandës, po lirisë së fjalës,” tha ajo.