Trashëgimia e helmuar e qytetit të çelikut në Shqipëri

Trashëgimia e helmuar e qytetit të çelikut në Shqipëri

Elbasan (Shqipëri) (AFP) – Dikur krenaria e regjimit komunist shqiptar, kompleksi gjigant metalurgjik i Elbasanit tani është një nga vendet më të ndotura në Ballkan, i mbingarkuar me qindra mijëra tonë mbetje, shumë prej të cilave janë të rrezikshme.

I ndërtuar në vitet 1970 me ndihmën e Kinës, kompleksi i madh “Çeliku i Partisë” dikur punësonte 10,000 punëtorë në 500 fabrika gjatë diktaturës së Enver Hoxhës.

Tani vetëm një e dhjeta e këtij numri punon në uzinat e privatizuara që kanë mbijetuar, ndërsa gjithçka që mund të shitej është zhdukur nga rrënojat e pjesës tjetër.

Pavarësisht rreziqeve dhe erës së rëndë, kushdo mund të hyjë në pjesë të mëdha të kompleksit, dhe shumë persona sigurojnë jetesën duke gërmuar në grumbujt e mbetjeve të rrezikshme për të gjetur metale për t’i rishitur.

Kjo është një zonë ku 1.5 deri në 2 milionë tonë mbetje të rrezikshme janë depozituar për më shumë se 35 vjet, duke ndotur ujin, ajrin dhe tokën,” tha për AFP Beqir Kila, një aktivist i njohur mjedisor dhe inxhinier shqiptar.

Analiza të kryera nga grupe të ndryshme ekspertësh të pavarur kanë treguar nivele të plumbit, nikelit dhe kromit të paktën tri herë më të larta se kufijtë europianë, shtoi ai.

Image

Agjencia Mjedisore Shqiptare deklaroi në një raport të janarit se kompleksi, vetëm pesë kilometra nga qyteti i Elbasanit, kryeson listën e “vendeve me rrezik të lartë me potencial të madh ndotjeje nga mbetjet e metaleve të rënda si ferronikeli dhe ferrokromi, një trashëgimi që vazhdon të ndotë ujërat e lumit Shkumbin”.

Megjithatë, autoritetet nuk po propozojnë asnjë zgjidhje, paralajmërojnë ambientalistët.

“Të ruajtura në ajër të hapur, në mëshirë të kushteve atmosferike, këto mbetje pësojnë ndryshime dhe të gjitha elementet e tyre të rrezikshme dhe toksike depërtojnë në tokë dhe ujë,” paralajmëroi Kila, duke treguar duart e tij të mbuluara me pluhur të zi.

Për vite me radhë, zona në luginën pjellore të Shqipërisë së mesme është përndjekur nga raportet e shifrave të larta të kancerit dhe defekteve në lindje.

“Emetimet e plumbit kanë shkaktuar dëmtime të trurit, veçanërisht tek fëmijët, por edhe probleme gjenetike te bagëtitë dhe shpendët,” tha Kila.

‘Ndotje katastrofike’

Uzina e çelikut prej kohësh këmbëngul se po ndjek rregullat, por as ajo dhe as qeveria shqiptare nuk iu përgjigjën kërkesave të AFP-së për koment.

“Ne e konsiderojmë ndotjen në zonën industriale të ish-kompleksit të çelikut në Elbasan si katastrofike,” tha eksperti mjedisor Ahmet Mehmeti.

Përveç problemeve nga fabrikat e vjetra dhe të rrënuara, shumë prej të cilave janë në rrezik shembjeje, ekziston edhe ndotje nga fabrikat e reja, paralajmëroi ai.

Të dhëna zyrtare mbi ndotjen e ajrit në Elbasan nuk ekzistojnë dhe vlerësimi i cilësisë së ajrit bëhet nga vetë fabrikat.

“Loja kukafshehthi me autoritetet u leverdis kompanive në mënyrë të përkryer,” tha Mehmeti, duke argumentuar se ato janë më të interesuara për uljen e kostove sesa për nivelet e ndotjes.

Një ekip i AFP-së pa një oxhak që nxirrte tym të zi në kompleks. Por, sapo mbërriti një kameraman me dron, tymi ndaloi papritur.

“Mbetjet përmbajnë krom, nikel, zink… emetimet kalojnë në ujë, rrjedhin në lumin aty pranë, i cili përdoret për ujitjen e tokës dhe përfundon tek frutat dhe perimet në pjatën tonë,” tha Mehmeti.

Image

Shqipëria eksporton mbetje të rrezikshme dhe jo të rrezikshme që nuk lihen në vend, pasi nuk është e aftë t’i trajtojë ato vetë. Në korrik të vitit të kaluar, gjithsej 102 kontejnerë të mbushur me mbetje u larguan nga Shqipëria për në Tajlandë, ku do të ricikloheshin. Por pasi një sinjalizues raportoi se mbetjet dyshoheshin të ishin toksike dhe nuk ishin regjistruar si të tilla, ato u kthyen mbrapsht dhe ndodhen në Shqipëri që nga nëntori.

“Shqipëria ka një ligj mbi eksportin e mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme, por problemi qëndron në mungesën e kontrollit mbi procedurat dhe dokumentet,” tha aktivisti mjedisor Lavdosh Ferruni.

Prokuroria publike në portin e Durrësit ka hapur një hetim mbi rastin në bashkëpunim me Zyrën Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF).

Ndërkohë, mbetjet e dyshuara si toksike mbeten ende në Shqipëri. / AFP – Syri.net

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *